Salianji pas lirimit: Beteja ime s’ka mbaruar, Strasburgu është stacioni i radhës për drejtësinë

Ervin Salianji, i liruar pas 10 muajsh burg politik, premton vijimin e betejës ligjore dhe politike, duke çuar çështjen deri në Gjykatën e Strasburgut.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar me tone të forta pas lirimit të tij nga burgu, duke e cilësuar të gjithë procesin si një hakmarrje politike. Ai deklaroi se dënimi erdhi si pasojë e denoncimit të një trafikanti droge dhe se burgimi i tij është dëshmi e qartë e një sistemi që ka frikë nga opozita.

Salianji theksoi se nuk është ndalur dhe nuk do të ndalet në betejën e tij, as në politikë dhe as në rrugët ligjore. Ai bëri të ditur se do të ndjekë çdo instancë të drejtësisë, përfshirë edhe Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për të kërkuar atë që e quan të drejtë të mohuar.

Në deklaratën e tij për mediat, Salianji u shpreh se vuajtja e tij në qeli nuk ishte pasojë e një krimi ordiner, por një akt politik ndaj një deputeti opozitar që kishte guxuar të sfidonte regjimin dhe të denonconte lidhjet e pushtetit me krimin.

“Kam fituar gjithnjë përballë Edi Ramës në çdo betejë elektorale dhe kjo është arsyeja pse më dënuan. Sepse pata guximin të flas për krimin dhe drogën. Kam qenë e do të mbetem në krah të qytetarëve, kudo që të jem, edhe në cepin më të largët të Shqipërisë”, deklaroi ai.

Sipas tij, regjimi aktual nuk ndëshkon kriminelët e vërtetë, por përndjek zërat që e kundërshtojnë. Ai nënvizoi se ka parë nga afër padrejtësinë që përjetojnë qytetarët e zakonshëm dhe se kjo përvojë vetëm sa e ka forcuar më tej për të luftuar kundër këtij sistemi.

“Burgu nuk i urohet askujt. Por ajo që ndjeva atje është dhimbja që qytetarët tanë ndjejnë çdo ditë përballë këtij shteti hakmarrës. Unë nuk jam dorëzuar. Nuk kam frikë. Çështjen time do ta ndjek deri në fund,” përfundoi Salianji.

Ndaj Postimin: