Ceremonia Bektashiane në Ditën e Ashures për paqe, drejtësi dhe solidaritet njerëzor

Kryegjyshata Bektashiane zhvillon në Tiranë ceremoninë për Ditën e Ashures, mes lutjeve për fundin e luftërave dhe thirrjeve për vepra të mira

Në ambientet e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë është mbajtur ceremonia tradicionale kushtuar “Ditës së Ashures”, një festë me domethënie të thellë shpirtërore për besimtarët bektashinj.

Kryegjyshi Botëror i këtij komuniteti, Baba Mondi, i është drejtuar të pranishmëve me një mesazh reflektimi dhe paqeje, në një kohë ku bota përballet me kriza dhe konflikte të njëpasnjëshme. Ai theksoi nevojën për solidaritet dhe ndihmë reciproke, sidomos në momente të vështira për njerëzimin.

Baba Mondi kujtoi se kjo ditë vjen pas dhjetë ditësh agjërimi në nder të 72 martirëve të rënë në muret e Qerbelasë, një ngjarje me simbolikë të fortë për bektashinjtë. Ai nënvizoi se Muharremi është muaj i shenjtë dhe se në këtë periudhë mëkatet peshojnë më shumë, ndërsa veprat e mira marrin një vlerë më të madhe shpirtërore.

“Dita e përkujtimit të Qerbelasë është një thirrje e përhershme për drejtësi, liri dhe demokraci. Këto nuk janë vetëm sfida historike, por edhe misione aktuale për të gjithë ne, për udhëheqësit dhe popujt”, deklaroi kryegjyshi.

Ai shtoi se lutja duhet të vijë nga një ndërgjegje e thellë, e jo nga frika. “Lutja me frikë është adhurim i skllavit. Ai që lutet me mirënjohje, është njeri i lirë e me vlera. Ai që adhuron padrejtësinë dhe veprimet çnjerëzore, ndjek udhën e djallit”, përfundoi Baba Mondi mesazhin e tij.

Fjala “ashura” rrjedh nga arabishtja dhe nënkupton numrin dhjetë, duke përfaqësuar ditën e dhjetë të muajit Muharrem. Kjo ditë konsiderohet tejet e rëndësishme për historinë e profetëve dhe përkujtimin e martirëve.

Ceremonia u zhvillua mes simbolikave tradicionale dhe shpërndarjes së ashures, një ëmbëlsirë rituale që përfaqëson bashkimin, tolerancën dhe ndarjen e të mirës mes njerëzve.

Ndaj Postimin: