Moti ekstrem vazhdon të godasë Teksasin, ndërsa autoritetet raportojnë viktima dhe dëme të shumta në disa qytete të përmbytura
Situata në Teksas vijon të jetë kritike pas përmbytjeve të forta që kanë përfshirë pjesë të mëdha të shtetit. Numri i viktimave ka arritur në 91, ndërsa reshjet pritet të vijojnë në ditët e ardhshme, duke rritur më tej frikën për jetën e banorëve dhe dëmet materiale.
Sipas njoftimeve të fundit, moti i pafavorshëm ka shkaktuar ndërprerje të energjisë, mbyllje rrugësh dhe evakuime masive në disa qarqe. Mijëra banesa janë përmbytur, ndërsa qindra familje janë zhvendosur në qendra emergjente.
Zyrtarë federalë paralajmërojnë se situata nuk është stabilizuar dhe pritet që shirat të vijojnë me intensitet të lartë. Shërbimet meteorologjike kanë vendosur alarme të reja për përmbytje në pjesën lindore dhe qendrore të Teksasit.
Ndërkohë, përballja me pasojat e stuhive është kthyer në një përballje me kohën për qindra ekipet e ndihmës që punojnë në terren për të shpëtuar të mbijetuarit dhe për të ofruar ndihma bazë për të prekurit.
Përmbytjet e fundit konsiderohen ndër më të rënda në historinë e shtetit, duke prekur një sipërfaqe të gjerë dhe duke lënë pas një panoramë shkatërrimi. Në disa zona, ujërat kanë arritur deri në dy metra lartësi, duke zhytur rrugë dhe automjete.
Nga Shtëpia e Bardhë, zëdhënësja Karoline Leavitt konfirmoi se Presidenti Donald Trump do të vizitojë Teksasin gjatë kësaj jave për të parë nga afër dëmet dhe për të takuar banorët e prekur nga fatkeqësia. Vizita pritet të zhvillohet ditën e premte.
Autoritetet lokale vijojnë kërkimet për të zhdukurit dhe apelojnë për bashkëpunim maksimal nga qytetarët. Parashikimet meteorologjike mbeten shqetësuese, ndërsa Teksasi përgatitet për ditë të tjera të vështira nën reshje dhe përmbytje të vazhdueshme.