Një qytet i ri do të ngrihet mbi rrënojat e Rafahs për të strehuar rreth 600 mijë palestinezë të zhvendosur
Qeveria izraelite ka bërë publik një plan të diskutueshëm për krijimin e një zone të re të quajtur “qytet humanitar” në jug të Rripit të Gazës, mbi rrënojat e qytetit Rafah. Ky projekt parashikon sistemimin e qindra mijëra palestinezëve të zhvendosur nga luftimet.
Sipas Ministrit të Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, qyteti do të shërbejë fillimisht për strehimin e rreth 600 mijë personave që aktualisht ndodhen në zonën bregdetare të Maëasit, pas evakuimeve të detyruara gjatë muajve të fundit. Personat që do të akomodohen atje do të jenë të kontrolluar dhe nuk do të lejohen të dalin jashtë zonës.
Katz shpjegoi se plani parashikon gjithashtu ndërtimin e katër qendrave të shpërndarjes së ndihmave humanitare, ndërsa mbikëqyrja ushtarake do të bëhet nga distanca. Menaxhimi i zonës thuhet se do t’u besohet organizatave ndërkombëtare, por deri tani nuk është bërë publik emri i asnjërës që ka pranuar të marrë pjesë.
Zyrtarët izraelitë përfshijnë në planin afatgjatë edhe idenë për “emigrim vullnetar” të popullsisë palestineze jashtë Gazës, një propozim që ka ngjallur reagime të forta dhe kritika nga qarqe të ndryshme ndërkombëtare për përpjekje të kamufluara për dëbim masiv.
Dokumente të publikuara më herët nga agjencitë ndërkombëtare të lajmeve tregojnë se kjo zonë e re mund të përdoret si një hapësirë tranziti ku banorët e Gazës do të “deradikalizohen” dhe “përgatiten për integrim në vende të tjera”, nëse zgjedhin të largohen.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit, Amir Baram, ka nisur hapat konkretë për planifikimin e kësaj zone, ndonëse drejtimi i saj nuk do të jetë nën autoritetin ushtarak, por do të delegohet – sipas deklaratave – te trupat ndërkombëtare.
Zëra kritikë ngrejnë shqetësimin se, nën këtë justifikim humanitar, mund të fshihet një projekt më i gjerë për ndryshimin e strukturës demografike të Rripit të Gazës, përmes evakuimit të detyruar dhe ndërtimit të vendbanimeve të reja izraelite në zonat e evakuara.
Kryeministri Benjamin Netanyahu ka mohuar zyrtarisht çdo plan për vendbanime të reja në këto territore, por tensionet brenda koalicionit të tij qeverisës, veçanërisht nga forcat e ekstremit të djathtë, mbeten të forta dhe ndikojnë drejtpërdrejt në rrjedhën e këtyre vendimeve.