Takimi i vendeve anëtare të BE përfundon pa marrëveshje me SHBA-në, ndërsa tensionet për subvencionet vazhdojnë të rriten
Bisedimet mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për çështjen e tarifave tregtare kanë mbetur pezull, pasi takimi i fundit i mbajtur në Bruksel përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete.
Në mbledhjen e Coreper II, ku morën pjesë përfaqësuesit e përhershëm të 27 vendeve anëtare të BE-së, nuk u arrit ndonjë konsensus për të ecur përpara me dosjen e ndjeshme të tarifave. Diskutimet u fokusuan në raportin e Komisionerit Maros Sefcovic, i cili ndau detaje nga kontaktet e tij të fundit me zyrtarë amerikanë në Uashington.
Pavarësisht komunikimeve intensive dhe përpjekjeve diplomatike gjatë fundjavës, të dy palët nuk arritën të finalizojnë një marrëveshje për bashkëpunimin ekonomik. Burime pranë delegacioneve europiane konfirmuan se aktualisht “nuk ka marrëveshje”.
Kjo çështje ka të bëjë ngushtë me tensionet e krijuara së fundmi për politikat industriale dhe masat subvencionuese që, sipas Brukselit, dëmtojnë konkurrencën mes BE-së dhe SHBA-së në tregjet ndërkombëtare.
Pavarësisht bllokimit aktual, të dyja palët kanë konfirmuar vullnetin për të vazhduar dialogun. Një raund i ri bisedimesh pritet të zhvillohet të mërkurën, me shpresën për një afrim më konkret të qëndrimeve.
Diplomatët evropianë theksojnë se pa një zgjidhje të qartë për tarifat, marrëdhëniet tregtare transatlantike mund të përballen me sfida të reja. BE kërkon garanci që politikat amerikane të mos dëmtojnë interesat e prodhuesve evropianë.
Në këtë fazë, bisedimet mbeten të hapura, por edhe të brishta, ndërsa pritet që negociatat e së mërkurës të japin më shumë sinjale për ecurinë e ardhshme të kësaj çështjeje delikate ekonomike.