Shqetësime të përsëritura për sigurinë në plazhet e Divjakës, institucionet heshtin mes detyrimeve të shpërfillura

Kullat bosh të vrojtimit dhe mungesa e mjeteve të shpëtimit rrezikojnë pushuesit në Divjakë, autoritetet nuk zbatojnë ligjin

Në kulmin e sezonit turistik, plazhet publike dhe private të Divjakës përballen sërish me probleme të njohura, të cilat autoritetet vijojnë t’i injorojnë. Mungesa e vrojtuesve të shpëtimit dhe e mjeteve të domosdoshme për ndërhyrje emergjente, ka kthyer pushimet në një rrezik për qytetarët që frekuentojnë këto zona.

Në shumë stacione plazhi, kullat e vrojtimit janë të braktisura ose të ndërtuara pa standarde sigurie, të zhveshura nga pajisjet bazë që kërkon ligji. Kjo situatë e përsëritur flet qartë për një shpërfillje totale të detyrimeve ligjore nga institucionet vendore dhe ato të rendit publik.

Sipas pamjeve të sjella nga gazetari Ndriçim Gjoshi këtë të hënë, në bregun e Plazhit të Divjakës, mungesa e vrojtuesve është mëse e dukshme, ndonëse ligji kërkon prezencën e tyre në çdo stacion plazhi të licensuar. Kullat bosh dhe mungesa e sinjalistikës së sigurisë janë shndërruar në normë, jo përjashtim.

Një tjetër problem i thellë, që vijon të mbetet i pazgjidhur prej vitesh, është mungesa e rampave për personat me aftësi të kufizuar. Plazhet publike nuk janë të aksesueshme për këtë kategori qytetarësh, të cilët ndihen të përjashtuar nga pushimet verore.

Ndërsa detyrimi ligjor për sigurimin e aksesit për të gjithë është i qartë, institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë asnjë masë konkrete për përmirësimin e kushteve në terren. Reagimi i munguar i pushtetit vendor dhe institucioneve përkatëse është bërë një plagë e thellë për qytetarët.

Kërkesat e përsëritura të komunitetit dhe të organizatave që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi ndryshe nuk kanë marrë asnjë përgjigje të denjë. Aksesibiliteti dhe siguria publike po anashkalohen në një kohë kur turizmi pret të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme për zonën.

Situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe një qasje serioze nga autoritetet për të garantuar pushime të sigurta dhe të barabarta për të gjithë qytetarët, pa përjashtime dhe justifikime.

Ndaj Postimin: