Zbulohen bisedat e ryshfetit në Qafë Botë, doganierët kërkonin “kafe” për të shmangur kontrollet

Operacioni në pikën kufitare të Qafë Botës zbulon rrjet ryshfeti të strukturuar mes doganierëve, të cilët lejonin kalimin pa kontroll në këmbim të shumave që shkonin deri në 300 euro.

Të dielën në mëngjes, 14 oficerë doganorë u paraqitën në zyrën e hetuesit në Igumenicë, pas arrestimit për korrupsion në pikën kufitare të Qafë Botës. Ata akuzohen se kanë marrë mbi 300 ryshfete, duke përfituar nga 50 deri në 300 euro për të lejuar hyrje pa kontroll të automjeteve. Sipas autoriteteve greke, ky aktivitet kriminal kishte nisur që prej muajit mars.

Në bisedat e zbardhura nga përgjimet, doganierët përdorin kode si “lini një kafe dhe shkoni” për të nënkuptuar pagesën e ryshfetit. Në një rast, një qytetar shqiptar ndalohet për sasi të mëdha vaji, djathi dhe mishi. Edhe pse deklaron 10 litra vaj, punonjësit zbulojnë 30 litra dhe vendosin ta lejojnë të kalojë, me kushtin që “të lërë një kafe”.

Në një tjetër episod, dy zyrtarë diskutojnë për ndarjen e parave të përfituara nga ryshfeti, që arrijnë deri në 250 euro në një ditë. Ata tregojnë hapur se shmangin vendosjen e gjobave për të përfituar në mënyrë të paligjshme, madje shprehen të kënaqur me fitimet: “Mos u anko, sot ishte një ditë shumë e mirë.”

Një tjetër moment tronditës është kur një doganier detyron një shtetas shqiptar të paguajë 150 euro, duke e kërcënuar me një gjobë prej 3,000 eurosh dhe konfiskim të makinës, për shkak të qëndrimit të tejzgjatur në Greqi me automjet me targa shqiptare. Dialogu përshkruan qartë presionin dhe abuzimin e pushtetit për përfitim personal.

Në një nga bisedat, doganierët qeshin dhe tallen me qytetarët që përpiqen të shpjegohen, ndërsa ata i shtyjnë të paguajnë për të shmangur pasojat. Shprehje si “shko merr 150 euro dhe bëje copë-copë gjobën” apo “do të të fus në punë të martën” tregojnë nivelin e lartë të abuzimit institucional.

Autoritetet greke kanë ndërmarrë masa të menjëhershme dhe kanë nisur hetimet për të ndjekur penalisht të gjithë zyrtarët e përfshirë. Ky skandal ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer vëmendjen te nevoja për mbikëqyrje më të rreptë në pikat kufitare për të frenuar korrupsionin sistematik.

Ndaj Postimin: