Rama paralajmëron “pastrim të madh” në administratë: mandati i katërt nuk është për pushim

Kryeministri paralajmëron nisjen e ndryshimeve të thella në korrik dhe u dërgon mesazh të fortë drejtuesve lokalë pas dorëheqjeve në Vlorë e Tiranë

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh të fortë përmes një lidhjeje direkte në rrjetet sociale, pas dorëheqjes së drejtuesve të bashkive në Vlorë dhe Tiranë, duke lënë të kuptohet se një periudhë intensive ndryshimesh po afrohet për administratën vendore.

Duke iu referuar mandatit të katërt që ka fituar qeveria socialiste, Rama theksoi se ky nuk është një moment për vetëkënaqësi apo pushim. Përkundrazi, ai paralajmëroi një fushatë të re për “pastrimin e shtëpisë së përbashkët”, siç e quajti ai, që do të nisë në pjesën e dytë të muajit korrik.

“Mandati i katërt nuk është për të fjetur gjumë. Kush mendon ndryshe, e ka shumë gabim. 83 mandatet që kemi marrë janë një detyrim më shumë dhe arsye për të punuar më shumë se kurrë”, u shpreh Rama, duke bërë thirrje për angazhim të shtuar nga strukturat vendore.

Ai nënvizoi se brenda dy javëve të para të korrikut pritet të përfundojë procesi i përgatitjes së inventarëve për të gjitha zonat, me fokus të veçantë në evidentimin e problematikave dhe keqmenaxhimeve të mundshme.

Sipas kryeministrit, pas kësaj faze përgatitore do të nisë “ngritja në hava” e administratës, një metaforë që ai e krahasoi me përpjekjet e amvisave për të sistemuar dhe pastruar shtëpinë. Ai la të kuptohet se ndryshimet do të jenë të thella dhe të pakthyeshme.

“Do të fillojmë me të gjitha forcat. Nuk do të ndalemi. Koha e justifikimeve ka mbaruar dhe kush nuk ecën me ritmin e duhur, do të largohet,” shtoi Rama.

Ky paralajmërim vjen në një moment kur kritikat për performancën e bashkive janë shtuar dhe pritet që në javët në vijim të shohim lëvizje konkrete në nivel drejtuesish lokalë.

Ndaj Postimin: