Mesazhi i Ambasadës Amerikane për 4 Korrikun përkujton nismën historike të pavarësisë me fjalët e Donald Trump

“Me një fletë pergameni dhe 56 firma nisi rrugëtimi më i madh politik në histori”, përkujton ambasada amerikane në Tiranë në Ditën e Pavarësisë

Në kuadër të 4 Korrikut, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka përcjellë një mesazh urimi për Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, duke theksuar momentin historik të themelimit të vendit dhe vlerat demokratike mbi të cilat u ngrit ai.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada ka ndarë një citim nga ish-presidenti amerikan Donald Trump, ku theksohet rëndësia simbolike dhe politike e Deklaratës së Pavarësisë së vitit 1776.

“Me një fletë të vetme pergameni dhe 56 nënshkrime, Amerika nisi udhëtimin më të madh politik në historinë e njerëzimit”, thuhet në deklaratën që ka shpërndarë ambasada.

Përmes këtij mesazhi, ambasada i uron qytetarët amerikanë dhe miqtë e SHBA-ve: “Gëzuar Ditën e Pavarësisë së 249-të të SHBA!”

Dita e Pavarësisë, më 4 Korrik, përkujton momentin kur, në vitin 1776, përfaqësuesit e 13 kolonive të atëhershme nënshkruan Deklaratën që i dha fund varësisë nga Britania e Madhe dhe shpalli krijimin e një shteti të ri.

Kjo ditë shënohet si festa më e rëndësishme kombëtare për amerikanët, dhe për çdo vit kremtohet me parada, fishekzjarre dhe ngjarje publike anembanë Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësive diplomatike në mbarë botën.

Mesazhet e ambasadave në vende të ndryshme të botës shërbejnë jo vetëm si urim për komunitetet amerikane jashtë vendit, por edhe si kujtesë për rëndësinë historike të parimeve mbi të cilat u ndërtuan Shtetet e Bashkuara.

Ndaj Postimin: