Bashkia Dimal neglizhon sigurinë rrugore dhe kërkesat qytetare për investime publike

Në rrugët e Dimalit mungojnë vijat e bardha dhe tabelat sinjalizuese, duke rritur rrezikun për aksidente dhe theksuar mungesën e përgjegjësisë institucionale.

Prej më shumë se një viti, rrugët e qytetit të Urës Vajgurore në bashkinë Dimal janë lënë pas dore. Sinjalistika rrugore është inekzistente, vijat e bardha mungojnë, dhe tabelat orientuese janë të pakuptimta, çka ka sjellë një kaos të vazhdueshëm për këmbësorët dhe automjetet.

Kjo situatë ka krijuar një mjedis të pasigurt për qytetarët, të cilët çdo ditë rrezikojnë jetën për shkak të mungesës së infrastrukturës minimale rrugore. Pamjet që televizioni lokal TV Apollon ka publikuar vazhdimisht, dëshmojnë realitetin e hidhur të rrugëve në këtë bashki.

Sipas raportimeve nga qytetarët, mungesa e investimeve publike është kthyer në normë. Drejtuesit lokalë nuk kanë dhënë asnjë shenjë angazhimi për përmirësimin e gjendjes, ndërkohë që përgjigjet ndaj kritikave janë shpesh arrogante dhe të shmangura, duke i drejtuar qytetarët te bashkia, një institucion që prej kohësh është bërë simbol i mbylljes dhe mungesës së transparencës.

Një nga emrat më të përmendur për këtë situatë është ai i kryetarit aktual të bashkisë, Albano Koro, i cili, përkundër thirrjeve për veprim, nuk ka ofruar asnjë shpjegim të qartë për mungesën e investimeve në sinjalistikën urbane apo për projektet infrastrukturore të lëna pezull.

Më shumë sesa një çështje teknike, kjo neglizhencë është kthyer në një problem serioz qeverisjeje dhe llogaridhënieje. Shumë qytetarë e konsiderojnë këtë mungesë reagimi si një formë të shpërfilljes ndaj nevojave reale të komunitetit.

Nga ana tjetër, heshtja e institucioneve qendrore ndaj kësaj situate ngrit dyshime të forta për mbrojtje politike apo mungesë vullneti për të ndëshkuar keqqeverisjen lokale. Ndërkohë, drejtues lokalë vijojnë të shfaqen në rrjetet sociale duke promovuar punë të paqena, ndërsa rrugët e qytetit mbeten në errësirë dhe pa sinjalistikë, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.

TV Apollon dhe media të tjera lokale vijojnë të jenë dritarja e vetme e informacionit për banorët e Dimalit, në mungesë të plotë të informimit dhe transparencës nga institucionet. Qytetarët kërkojnë zgjidhje konkrete dhe jo më premtime boshe.

Ndaj Postimin: