Rreth 5 mijë persona largohen nga Ierapetra dhe zonat përreth ndërsa flakët përhapen me shpejtësi në jug të ishullit grek
Mijëra persona janë detyruar të braktisin shtëpitë dhe hotelet e tyre në Kretë, ndërsa zjarret masive vijojnë të përhapen për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta. Flakët shpërthyen mbrëmjen e së mërkurës në zonat pranë qytetit turistik të Ierapetras, duke shkaktuar një situatë të jashtëzakonshme në jug të ishullit.
Sipas burimeve lokale, rreth 5.000 njerëz janë larguar nga zona të ndryshme, mes tyre afro 3.000 turistë dhe 2.000 banorë. Evakuimet u kryen kryesisht gjatë natës, me qëllim shmangien e rrezikut për jetën, ndërsa banorët dhe pushuesit janë strehuar përkohësisht në ambjente sportive të mbuluara.
Frontet e flakëve janë të paktën tre dhe vijojnë të përhapen me ritëm të shpejtë për shkak të erërave të forta që mbizotërojnë në rajon. Situata mbetet e vështirë dhe përforcimet nga toka dhe ajri janë angazhuar për të penguar përhapjen e mëtejshme të zjarreve.
Forcat në terren raportojnë se ndërhyrja gjatë natës ka qenë e vështirë, pasi avionët nuk mund të fluturonin në zonat e rrezikuara. Për këtë arsye, autoritetet kanë vendosur të veprojnë me evakuime të shpejta për të garantuar sigurinë e njerëzve të ndodhur në afërsi të vatrave të zjarrit.
Në operacion janë angazhuar mbi 270 forca emergjence dhe 10 helikopterë, të cilët ndihmohen edhe nga dronë për të identifikuar vendndodhjet më kritike. Forcat vendase po përpiqen të lokalizojnë zjarrin, ndërsa flakët po rrezikojnë edhe zona të tjera më në thellësi.
Ekspertët paralajmërojnë se kushtet klimatike, të ndikuara rëndë nga ngrohja globale, po çojnë drejt rritjes së frekuencës dhe intensitetit të zjarreve. Përballë këtij realiteti, vendet mesdhetare si Greqia janë gjithnjë e më shpesh në alarm gjatë muajve të verës.
Nuk përjashtohet që gjatë ditëve në vijim situata të përkeqësohet, sidomos nëse kushtet meteorologjike vijojnë të mbeten të njëjta. Autoritetet vendore u bëjnë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet për evakuim dhe të shmangin zonat e rrezikshme.