Masat kundër zjarreve në Fier: pajisje të reja dhe vëzhgim 24 orësh në pikat më të rrezikuara

Bashkia e Fierit vendos ekipe zjarrfikësish në tre zona kritike gjatë verës, duke forcuar shërbimin emergjent përballë rrezikut në rritje të zjarreve nga pakujdesia njerëzore dhe temperaturat ekstreme.

Në prag të një vere që pritet të jetë e mbingarkuar me zjarre, Bashkia e Fierit ka vendosur të forcojë përpjekjet parandaluese përmes një mobilizimi të plotë të shërbimit zjarrfikës. Sipas autoriteteve vendore, janë ngritur tre baza operative me ekipe dhe mjete në zonat më të ekspozuara: Darezezë–Seman, Verri dhe ish-Azotik. Ky pozicionim strategjik synon ndërhyrje më të shpejtë dhe efikase në rast zjarrvëniesh.

Nënkryetari i Bashkisë së Fierit, Vasil Bregu, u shpreh se ky konfigurim i ri do t’i japë zjarrfikësve një avantazh domethënës në betejën me flakët gjatë verës. Mjetet dhe forcat janë në gadishmëri 24 orë, për të ndërhyrë sa më shpejt në terrene të vështira si pyje dhe ullishte.

Shkaktarët kryesorë të zjarreve, sipas institucioneve vendore, mbeten fermerët të cilët vazhdojnë pastrimin e tokave përmes djegies së barërave të thata. Në kushte të temperaturave të larta dhe erërave të forta, ky veprim i rrezikshëm shpesh del jashtë kontrollit, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha dhe duke rrezikuar pasuri dhe jetë njerëzish.

Autoritetet kanë bërë thirrje publike për të ndaluar këtë praktikë, duke kujtuar se pastrimi me zjarr është i dëmshëm jo vetëm për mjedisin, por edhe për vetë tokën bujqësore. Masat ligjore ndaj zjarrvënësve janë përforcuar: Policia dhe Prokuroria ndjekin çdo rast dhe aplikojnë penalitete të ashpra.

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, në qarkun e Fierit janë regjistruar 12 raste zjarrvënieje. Për këto, janë proceduar 13 persona – 11 prej tyre u arrestuan në flagrancë, ndërsa 2 të tjerë u lanë në gjendje të lirë. Ndër të ndëshkuarit, shtatë janë fermerë të cilët u proceduan për shkatërrim prone me zjarr nga pakujdesia.

Zjarret e regjistruara kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Pesë prej tyre dogjën sipërfaqe të mëdha me pemtari, tre përfshinë automjete, ndërsa u raportua edhe djegia e një lokali dhe tre banesave. Në total, 22 shtetas janë ndjekur penalisht – shumica prej tyre për djegien e hamullave në tokat e tyre.

Ndaj Postimin: