Zjarri në landfillin pranë inceneratorit të Elbasanit vijon për ditën e tretë, ndërsa autoritetet nuk japin asnjë informacion zyrtar për situatën
Për të tretën ditë radhazi, një zjarr i madh ka përfshirë fushën e mbetjeve në afërsi të inceneratorit të Elbasanit, duke shkaktuar ndotje të konsiderueshme dhe panik te banorët përreth. Edhe pse në sipërfaqe duket se flakët janë zvogëluar, zjarri mbetet aktiv në shtresat e brendshme të mbetjeve, duke prodhuar shtëllunga të dendura tymi që ngrihen veçanërisht në zonën perëndimore dhe në qendër të landfillit.
Autoritetet lokale kanë ndërhyrë duke hedhur mbi 10.000 metra kub dhe mbi zonën e prekur, në përpjekje për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve. Por pavarësisht përpjekjeve, vatrat e zjarrit vijojnë të jenë aktive nën sipërfaqe, gjë që e vështirëson ndërhyrjen efektive dhe kontrollin e plotë të situatës.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, kanë kryer një inspektim në vendngjarje gjatë mesditës. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk pranoi të japë deklarata për median, duke shmangur çdo koment mbi shkaqet e mundshme të zjarrit, ndikimin në mjedis apo masat konkrete që po ndërmerren.
Kjo heshtje zyrtare ka acaruar më tej komunitetin lokal, i cili po përballet me ndotje të ajrit dhe pasiguri për shëndetin e tyre. Banorët kërkojnë informacion të qartë dhe veprime të menjëhershme për të garantuar sigurinë e tyre, por deri tani nuk ka asnjë sqarim publik nëse ekziston një plan për shuarjen përfundimtare të zjarrit.
Ngjarja ka nxjerrë në pah edhe një herë krizën e menaxhimit të mbetjeve urbane në vend dhe mungesën e sigurisë në pikat e grumbullimit. Raste të tilla janë bërë të zakonshme në qytete të ndryshme të Shqipërisë, por zgjidhjet afatgjata mungojnë.
Në kushtet kur flakët vijojnë të përpijnë mbeturinat dhe tymi ndot ajrin e zonës, kërkesa për transparencë dhe përgjegjësi është kthyer në një domosdoshmëri. Megjithatë, institucionet përkatëse vijojnë të mbajnë qëndrime të heshtura, duke rritur edhe më shumë pasigurinë dhe pakënaqësinë qytetare.