Albin Kurti shpreh gatishmëri për zgjidhje, por partitë opozitare refuzojnë kompromisin për votimin e kryeparlamentarit, duke thelluar bllokadën institucionale
Kosova vijon të mbetet pa institucione funksionale, ndërsa kanë kaluar tashmë katër muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Pavarësisht thirrjeve për konsensus nga Presidentja Vjosa Osmani dhe një sërë takimesh me liderët politikë, Kuvendi i ri nuk ka arritur të konstituohet. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se do të bëjë “çmos” për të zhbllokuar situatën, por ndasitë mes partive mbeten të thella.
Në një takim të zhvilluar të mërkurën me Presidenten Osmani, Kurti theksoi nevojën për bashkëpunim dhe përmbushje të afateve kushtetuese. Por ai nuk dha detaje për ndonjë propozim të ri, ndërkohë që Vetëvendosje vijon të këmbëngulë për votim të fshehtë dhe për emrin e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare. Emër ky që nuk ka siguruar dot shumicën e kërkuar në seancat e mëparshme.
Nga ana tjetër, partitë opozitare si PDK, LDK dhe AAK kërkojnë votim të hapur për kryetarin e Kuvendit, duke akuzuar Vetëvendosjen për pengim të procesit dhe mungesë kompromisi. Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, deklaroi se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e bën të palejueshëm ndryshimin e mënyrës së votimit gjatë procesit. Ai shtoi se Vetëvendosje po mban të bllokuar institucionin për shkak të qëndrimeve të ngurta.
Edhe Lumir Abdixhiku i LDK-së e kundërshtoi votimin e fshehtë, duke theksuar se partia e tij nuk do të mbështesë asnjë kandidat të propozuar nga Vetëvendosje. Ai theksoi se zgjidhja duhet të vijë përmes shumicës parlamentare dhe respektimit të procedurave kushtetuese. Abdixhiku hodhi idenë e një qeverie uniteti, si mundësi për të dalë nga ngërçi.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, mbështeti gjithashtu rikthimin e praktikës së votimit të hapur dhe shprehu shqetësimin për afatet kushtetuese që po afrohen pa zgjidhje konkrete. Ai bëri thirrje për kthim në votim të rregullt dhe për gjetje të një formule konsensuale.
Analistët politikë, si Dritëro Arifi, vlerësojnë se takimet e organizuara nga Presidentja janë pozitive në formë, por rezultatet e tyre pritet të jenë minimale. Arifi paralajmëron se pa kompromise mes partive, asgjë nuk do të lëvizë, dhe se Kosova mund të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme nëse nuk gjendet një rrugëdalje para afatit përfundimtar të 26 korrikut.
Ndërkohë, Presidenca ka bërë të ditur se takimet me përfaqësuesit e partive do të vijojnë edhe në ditët në vijim. Zëdhënësi i Presidentes, Bekim Kupina, tha se nëse situata mbetet e paqartë, Presidentja mund t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë, ndërsa kërkoi nga partitë përgjegjshmëri maksimale në këtë moment kritik.
Kriza institucionale po thellohet, ndërsa vendi po hyn në muajin e pestë pa Kuvend dhe Qeveri të re. Vetëm një marrëveshje politike ose ndërhyrje e drejtpërdrejtë e Presidentes mund të sjellë një zgjidhje për këtë bllokadë që po paralizon jetën politike dhe institucionale të Kosovës.