Në Kallm të Madh çmimi i shalqirit ka rënë në 10 lekë për kg, duke detyruar fermerët të protestojnë për mungesën e mbështetjes dhe abuzimet e tregtarëve
Kriza në sektorin bujqësor ka shpërthyer sërish në Fier, ku fermerët e Kallmit të Madh kanë dalë në protestë për shkak të rënies dramatike të çmimit të shalqirit, një nga kulturat kryesore të zonës. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet, duke akuzuar tregtarët për bashkëpunim në vendosjen e çmimeve poshtë kostos së prodhimit.
Sipas banorëve të zonës, shalqiri nisi të tregtohet fillimisht me 25 lekë për kilogram, por brenda pak ditësh çmimi ra në vetëm 10 lekë/kg, një nivel që nuk mbulon as shpenzimet bazë të kultivimit. “Me këtë çmim nuk na leverdis as ta mbledhim. Shalqiri po kalbet në fushë”, deklaroi fermeri Nikollaq Buzi, duke shtuar se nuk marrin asnjë subvencion dhe çdo investim e bëjnë nga xhepi i tyre.
Protesta është shoqëruar me akuza të drejtpërdrejta ndaj tregtarëve të shumicës dhe grumbulluesve, të cilët, sipas fermerëve, janë bërë bashkë dhe fiksojnë çmimin në mënyrë të koordinuar, duke përfituar nga mungesa totale e kontrollit në treg. “E kanë bërë si kartel, Shqipëri dhe Kosovë bashkë. Ne shpenzojmë 500 mijë lekë për një dynym, dhe nuk marrim as 200 mijë lekë mbrapsht”, thotë me lot në sy Floresha Buzi.
Situata ka krijuar një klimë dëshpëruese mes fermerëve, të cilët ndihen të braktisur dhe të pambrojtur. “Çdo vit përsëritet e njëjta gjë. Askush nuk na mbështet. Të dy djemtë e mi po ikin jashtë. Këtu nuk ka shpresë”, shprehet me revoltë Kudret Hatija, një tjetër fermer i zonës.
Në mungesë të një rrjeti funksional tregjesh lokale dhe sistem magazinimi, prodhimi i freskët shpesh mbetet i pashitur ose shitet nën kosto. Kjo situatë ka vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e punës në bujqësi, ndërkohë që mungesa e reagimit nga shteti po përkeqëson gjithçka.
Fermerët kërkojnë veprim konkret nga Autoriteti i Konkurrencës, për të hetuar fiksimin e çmimeve, si dhe nga Ministria e Bujqësisë dhe Bashkia Fier për të ndihmuar në organizimin e tregjeve dhe ruajtjen e produkteve bujqësore. Në të kundërt, shumë prej tyre po shqyrtojnë seriozisht largimin përfundimtar nga sektori dhe vendi.