Ballshiotët ndërtojnë ekipin me baza të gjera, duke përfshirë lojtarët nga ekipi i parë, të rinjtë dhe rikthimet pas dëmtimeve apo huazimeve
Bylisi është duke ndërtuar një organikë të gjerë prej afro 30 lojtarësh, ku përfshihen futbollistët e ekipit të parë, por edhe të rinjtë që kanë spikatur në ekipin “B”, U-21 dhe U-19. Strukturimi po bëhet në tre drejtime: përforcimet në skuadrën e parë, ndryshimet në staf dhe konsolidimi i akademisë.
Në listën e elementëve kryesorë që priten të mbajnë peshën e formacionit janë emra si Bruno, Abazaj, Peralta, Përgjoni, Malomo, Kamara, Ofori dhe Mustafa. Dy të rinjtë premtues Aurel Marku dhe Fabjan Përndreca, të aktivizuar me U-21, do të kenë rol kyç në mbrojtje, duke shtuar freskinë dhe perspektivën në formacion.
Në portë, talenti vendas Beqaj, që u aktivizua titullar në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, pritet të jetë sërish një pikë referimi. Emra të tjerë si Mahmuti, Sulovari, Kane, Koxhi, Kasaj, Igor, Ualison dhe Çelaj plotësojnë organikën ekzistuese, e cila, në thelb, nuk ka pësuar shumë ndryshime nga sezoni i shkuar.
Megjithatë, hyrje dhe dalje të reja priten gjatë korrikut, një muaj që pritet të jetë vendimtar për strategjinë e klubit. Bylisi synon 3-4 afrime cilësore për të blinduar repartet, ndërsa kanë nisur bisedimet me lojtarë që kanë eksperiencë në kampionatin shqiptar, por edhe me të huaj që do të vijnë për herë të parë.
Skuadra do të forcohet edhe nga lojtarë që ishin jashtë fushave për shkak të dëmtimeve, si Kasmollari dhe Emini, të cilët janë rikuperuar plotësisht dhe janë gati për sezonin e ri. Po ashtu, priten rikthime nga huazimet, me disa emra që vijnë nga ekipet e Kategorisë së Parë dhe të Dytë. Nëse nuk zënë vend në ekipin e parë, ata do t’i bashkohen ekipit “B”.
Ballshiotët kanë edhe një grup lojtarësh si Skënderaj, Freitas Souza, Gabi, Hasan, Ngene, Buraneli dhe Oulare, që kanë qenë pjesë e ekipeve të moshave apo të ekipit të parë më parë. Disa prej tyre janë në fokus të skuadrave të tjera që kërkojnë huazim, por këtë herë Bylisi është më i kujdesshëm. Meqë ekipi “B” garon në Kategorinë e Dytë, drejtuesit nuk duan të forcojnë rivalët, pasi edhe aty synimet janë për ngjitje në një kategori më të lartë.
Në këtë mënyrë, Bylisi po punon me një vizion afatgjatë, duke kombinuar përvojën me rininë dhe duke ruajtur kontrollin mbi lojtarët nëpërmjet strukturës së dy ekipeve në nivele të ndryshme të kampionatit shqiptar.