Irani ndalon hyrjen e inspektorëve bërthamorë pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit

Teherani pezullon bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore duke kërkuar dënim për sulmet ndaj objekteve të tij strategjike

Irani ka ndërprerë përkohësisht bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA), në një akt që shihet si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj sulmeve ajrore të fundit. Presidenti Masoud Pezeshkian ka firmosur një ligj të ri që i ndalon inspektorët ndërkombëtarë të hyjnë në objektet bërthamore të vendit.

Vendimi synon të ushtrojë presion ndaj IAEA-s, që sipas zyrtarëve iranianë, duhet të dënojë hapur sulmet ajrore të kryera nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, theksoi se agjencia ndërkombëtare duhet gjithashtu të njohë programin bërthamor të Iranit si legjitim dhe të drejtë sovrane.

Edhe pse nuk janë dhënë ende detaje të plota për rregullat e reja, zëdhënës të Ministrisë së Jashtme iraniane konfirmuan se inspektorët e IAEA-s ndodhen ende në territorin iranian, por nuk kanë më leje për të vizituar objektet që u dëmtuan nga sulmet ajrore.

Sulmet u përshkallëzuan më 13 qershor, kur Izraeli ndërmori një seri bombardimesh ndaj infrastrukturës bërthamore të Iranit, duke e justifikuar me synimin për të ndalur një armë bërthamore në zhvillim. Irani e mohoi kategorikisht një qëllim të tillë dhe reagoi me raketa dhe dronë që goditën disa pika strategjike në Izrael.

Situata u përkeqësua më tej kur më 22 qershor, SHBA-ja ndërhyri me sulme të koordinuara në objektet bërthamore iraniane në Fordo, Isfahan dhe Natanz. Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet në Teheran, mbi 900 civilë dhe ushtarakë humbën jetën gjatë këtij përplasjeje 12-ditore. Në anën tjetër, burimet izraelite raportuan 28 viktima nga sulmet iraniane.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ndërhyrja e forcave amerikane kishte “shkatërruar” programin bërthamor të Iranit, megjithëse ekspertët nuk kanë vlerësuar ende përmasat e dëmit. Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, pranoi se dëmet në objektet strategjike ishin “të rënda”.

Aktualisht, situata në rajon është e qetë për shkak të një armëpushimi të përkohshëm mes Iranit dhe Izraelit, por tensionet mbeten të larta dhe paqartësia për zhvillimet e ardhshme është e madhe.

Ndaj Postimin: