Braktisja e fshatrave në Dimal për shkak të mungesës së investimeve dhe kushteve minimale të jetesës

Banorët e Konezbaltës dhe zonave përreth largohen për shkak të mungesës së infrastrukturës, ujit të pijshëm dhe premtimeve të pambajtura nga pushteti lokal

Fshati Konezbaltë, vetëm 2.5 kilometra larg Ura Vajgurore, po përjeton një braktisje të vazhdueshme nga banorët për shkak të mungesës së thellë të investimeve që nga vitet ’90. Rrugët e dëmtuara, mungesa e kanalizimeve dhe mungesa e ujit të pijshëm janë disa nga problemet që i kanë kthyer kushtet e jetesës në këtë fshat të papranueshme, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.

Banorët tregojnë se prej vitesh uji në rubinet vjen vetëm për një orë në ditë, dhe kjo pamjaftueshmëri bëhet edhe më dramatike gjatë temperaturave të larta të verës apo në stinën e dimrit. Shpesh, i vetmi burim është një çezmë e vjetër në mes të fshatit, ku njerëzit radhiten me bidona dhe karrica – një pamje që më shumë i përket një epoke të kaluar sesa një realiteti bashkëkohor në një vend europian.

Kritikat e banorëve janë të shumta, por ata shprehen jashtë kamerave për shkak të mungesës së besimit te institucionet. Ata akuzojnë se kujtesa politike për fshatin zgjohet vetëm gjatë fushatave elektorale, kur premtohet gjithçka, por pas votimeve, gjithçka harrohet.

Në shënjestër të pakënaqësisë është edhe administratori lokal Albano Koro, i cili sipas banorëve, ka zgjedhur të heshtë përballë halleve të tyre dhe të ndjekë vetëm linjën politike. Ata thonë se nuk i dëgjon, nuk ndërhyn dhe nuk ofron asnjë zgjidhje për problemet që përkeqësohen nga dita në ditë.

Kritika të forta janë drejtuar edhe ndaj kryetares së bashkisë Dimal, znj. Juliana Mema, për të cilën banorët pretendojnë se po përdor rrjetet sociale për të ndërtuar një realitet fiktiv, larg asaj që ndodh në terren. Ata i konsiderojnë postimet e saj dhe të zyrtarëve të tjerë si një “show online”, ndërsa premtimet mbeten vetëm në letra.

Kjo situatë nuk kufizohet vetëm në Konezbaltë. E njëjta pamje braktisjeje dhe neglizhence është e pranishme edhe në fshatrat Rërës, Drenovicë, Samaticë, Gajde dhe Kuç, si dhe në zona të brendshme të qytetit të Ura Vajgurore, përfshirë edhe lagjen pranë fushës së futbollit.

Banorët ndihen të harruar dhe pa përfaqësim të denjë. Ata po largohen nga fshatrat e tyre në kërkim të një jete më të mirë, ndërsa autoritetet vendore, sipas tyre, nuk po bëjnë asnjë përpjekje reale për të ndryshuar këtë realitet.

Ndaj Postimin: