Bashkia Lushnjë dhe Zyra e Shërbimit të Provës nxisin bashkëpunimin për përfshirjen sociale dhe parandalimin e rikthimit në vepra penale.
Në kuadër të “Javës së Administratës Publike”, në ambientet e Bashkisë së Lushnjës u zhvillua një takim mes autoriteteve vendore dhe Zyrës së Shërbimit të Provës. Ky takim synoi të forcojë bashkëpunimin institucional në funksion të riintegrimit të personave që ndodhen në shërbim prove, duke u cilësuar nga kryetarja e bashkisë, Eriselda Sefa, si një hap i domosdoshëm dhe me rëndësi thelbësore për komunitetin.
Gjatë bisedimeve, palët ndanë ide dhe angazhime për përfshirjen e individëve në shërbim prove në aktivitete komunitare, ofrimin e mbështetjes psikosociale, si dhe përmirësimin e mekanizmave që nxisin përfshirjen sociale dhe parandalojnë rikthimin e tyre në shkelje ligjore, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.
Kryebashkiakja Sefa theksoi se një nga prioritetet e institucionit që ajo drejton është ndërtimi i një ambienti mbështetës dhe gjithëpërfshirës për çdo individ, pavarësisht të kaluarës së tij. Sipas saj, rikthimi në shoqëri duhet të jetë një proces i mbështetur me përkushtim dhe koordinim të plotë ndërinstitucional.
Përfaqësuesit e Zyrës së Shërbimit të Provës shprehën gatishmërinë për të forcuar më tej komunikimin me njësitë vendore, me qëllim identifikimin e nevojave konkrete dhe ndërtimin e planeve të përbashkëta për integrim.
Në përfundim të takimit, të dyja palët u angazhuan për të zhvilluar iniciativa të përbashkëta që do të mbështesin individët në vështirësi dhe do të përmirësojnë sigurinë dhe harmoninë në komunitet.
Ky bashkëpunim u konsiderua si një model i mirë i ndërveprimit efektiv mes institucioneve dhe një shembull që duhet të ndiqet edhe në bashki të tjera në vend.