Fermerët po braktisin bagëtinë për bletët, për shkak të investimeve më të ulëta, menaxhimit më të thjeshtë dhe fitimeve më të larta nga mjalti dhe produktet e tij
Në dekadën e fundit, një ndryshim i dukshëm ka ndodhur në fshatrat shqiptarë: gjithnjë e më shumë fermerë po i largohen blegtorisë për t’u përqendruar në bletari. Të dhënat zyrtare të INSTAT për vitin 2024 tregojnë se numri i koshereve është rritur me 105% që nga viti 2014, ndërsa numri i krerëve të bagëtive ka rënë ndjeshëm.
Gjatë vitit 2024, në Shqipëri u numëruan 587,300 koshere blete, me një rritje vjetore prej 13.2% krahasuar me 518,700 të vitit të kaluar. Ky trend pozitiv është reflektuar në të gjitha qarqet e vendit, përjashtuar Gjirokastrën, ku pati një rënie të lehtë prej 0.2%. Veçanërisht në qarkun e Vlorës, numri i koshereve u rrit me 46.75%, nga 70,540 në 103,520 brenda një viti.
Pas Vlorës, rritje të dukshme u regjistruan në Durrës me 20%, Dibër me 17%, Fier me 15%, Lezhë me 13% dhe Korçë me 9%. Ky orientim drejt bletarisë nuk është i rastësishëm. Fermerët po e konsiderojnë bletarinë më fitimprurëse dhe më pak të kushtueshme sesa blegtoria tradicionale që kërkon toka për kullotë, stalla, punonjës dhe shpenzime të konsiderueshme për ushqimin dhe shërbimin veterinar.
Një bletarritës, i cili menaxhon 160 koshere, thotë se me pak investim fillestar dhe punë familjare, bletaria ofron përfitime të vazhdueshme. Një koshere mund të prodhojë deri në 15 kilogramë mjaltë në vit, përveç produkteve të tjera si poleni, propolisi dhe dylli, që gjithashtu shiten me çmime të mira në treg.
Ndryshe nga blegtoria, bletaria nuk kërkon kontroll të vazhdueshëm veterinar dhe është më fleksibël për moshat e treta ose familjet ku të rinjtë kanë emigruar. Kjo formë e bujqësisë është më e lehtë për t’u menaxhuar, duke e bërë atë një zgjidhje të përshtatshme në kohë sfidash për sektorin rural.
Përballë mungesës së fuqisë punëtore dhe rritjes së kostove në sektorët tradicionalë të bujqësisë dhe blegtorisë, bletaria po shfaqet si një alternativë e qëndrueshme dhe fitimprurëse për shumë familje shqiptare që kërkojnë të qëndrojnë në tokën e tyre.