Mungesa e kullave dhe rojeve të vrojtimit në Divjakë po kthehet në rrezik të përvitshëm për qindra pushues që zgjedhin këtë bregdet familjar në verën shqiptare
Në Divjakë, sezoni turistik ka nisur prej më shumë se një muaji, por bregdeti vijon të përballet me një problem të vjetër: mungesa e rojeve vrojtuese dhe mjeteve të shpëtimit. Edhe pse temperaturat e larta të fundqershorit kanë sjellë një fluks të madh vizitorësh, asgjë nuk duket të ketë ndryshuar në aspektin e sigurisë në det.
Ligji i detyron bizneset buzë detit që të vendosin roje dhe pajisje shpëtimi për çdo rrezik të mundshëm që i kanoset pushuesve, por në praktikë, asnjë prej këtyre detyrimeve nuk respektohet. Kullat e improvizuara me shkopinj dhe flamuj nuk përmbushin asnjë standard jetik të përcaktuar në legjislacionin për sigurinë në plazhe.
Pamjet e fundit të marra këtë fundjavë nga bregu i Divjakës tregojnë një mungesë të theksuar të përgjegjësisë, ku bizneset private, edhe pse në shkelje të hapur të ligjit, vijojnë të operojnë pa ndonjë masë ndëshkuese. Tre kulla vrojtimi janë ndërtuar në një vijë prej 2.5 kilometrash, një numër që nuk mjafton për të garantuar sigurinë minimale.
Për më tepër, nuk ka broshura informuese për rrezikun, ndërkohë që listat e çmimeve të bareve dhe restoranteve janë vendosur në mënyrë të dukshme. Flamuj të kuq janë vendosur përgjatë bregdetit, por përdorimi i tyre nuk ndjek asnjë rregull: ata vendosen sipas dëshirës së pronarëve të bizneseve dhe jo sipas kushteve reale të detit.
Pushuesit nuk janë të informuar mbi kuptimin e ngjyrave të flamujve — i kuqi sinjalizon ndalim për larje, i verdhi paralajmëron kujdes dhe i kaltër tregon kushte të sigurta. Megjithatë, për çdo ditë në Divjakë valvitet vetëm flamuri i kuq, pa marrë parasysh qetësinë apo dallgëzimin e detit.
Instruktori i rojeve bregdetare bëri me dije se prej majit, bizneseve u janë dhënë detyra specifike për vendosjen e rojeve dhe ndërtimin e kullave, por deri tani asnjë s’është zbatuar. Ndërkohë, institucionet përgjegjëse i hedhin fajin njëra-tjetrës sa herë që ndodh ndonjë tragjedi.
Plazhi i Divjakës, që frekuentohet kryesisht nga familjarë vendas, mbetet çdo vit i pambrojtur. Mungesa e vëmendjes nga bashkia dhe mungesa e respektimit të ligjit nga bizneset e bëjnë këtë bregdet një zonë potencialisht të rrezikshme për çdo pushues. Deri në një ndërhyrje serioze, qytetarët duhet të kujdesen vetë për sigurinë e tyre. Raporton nga Divjaka, gazetari Ndriçim Gjoshi.