Këshilli Bashkiak i Lushnjës u mblodh sot për të diskutuar 14 çështje që lidhen me administrimin e përditshëm të qytetit dhe problematikat që prekin qytetarët
Mbledhja u drejtua nga nënkryetarja e këshillit, Merjeme Dervishi, dhe u shoqërua me diskutime të gjalla mes këshilltarëve, sidomos përfaqësuesve të opozitës, të cilët ngritën shqetësime që vijnë nga qytetarët e Lushnjës.
Çdo pikë u trajtua në mënyrë të veçantë, duke u diskutuar dhe më pas duke kaluar në votim. Debatet u përqendruan kryesisht në çështje që lidhen me investimet lokale, infrastrukturën, buxhetin e bashkisë dhe shërbimet publike.
Kryetarja e Bashkisë, Eriselda Sefa, ishte aktive gjatë diskutimeve në mbledhje, duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të këshillit dhe duke dhënë sqarime për politikat që po ndiqen për të përmirësuar jetën në qytet, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.
Opozita solli në vëmendje problemet që prekin drejtpërdrejt komunitetin, përfshirë menaxhimin e mbetjeve, trafikun urban dhe mungesën e investimeve në disa zona periferike të qytetit.
Mbledhja përfundoi me miratimin e pjesës më të madhe të pikave të rendit të ditës, ndërsa disa prej tyre u shtynë për diskutim të mëtejshëm në mbledhjet e ardhshme. Këshilli do të vijojë të monitorojë zbatimin e vendimeve të marra.


