Fëmijët e uritur të Gazës, pamje tronditëse nga një katastrofë njerëzore në heshtje

Kequshqyerja ekstreme po shkatërron fëmijët në Gaza, foshnjat vdesin për qumësht dhe 10-vjeçarët duken si dyvjeçarë nga uria

Në qytetin e shkatërruar të Gazës, një realitet i padurueshëm po zhvillohet përpara syve të botës. Foshnjat po luftojnë për jetën, pa qumësht gjiri apo formulë ushqimore, ndërsa fëmijët më të rritur kërkojnë nëpër mbetje për të mbushur barkun. Pamjet dhe dëshmitë që vijnë nga terreni janë alarmante dhe dëshmojnë një krizë humanitare të thellë.

Infermierja australiane Christy Black, e cila ka katër javë që punon vullnetarisht në një spital në Gaza, ka rrëfyer për Al Jazeera se gjendja është përtej çdo imagjinate. Sipas saj, spitali ku punon është pa asnjë furnizim mjekësor, ndërsa mungesa e formulave ushqimore për gratë shtatzëna dhe për foshnjat ka shkaktuar pasoja të parikuperueshme në shëndetin e tyre.

“Po na vdesin foshnjat çdo ditë,” tha Black. “Vetëm gjatë dy ditëve të fundit kemi humbur disa prej tyre për shkak të mungesës së ushqimit. Nuk ka as qumësht, as formulë, as medikamente.” Ajo përshkruan skena ku fëmijët e vegjël, të rraskapitur nga uria, gërmojnë në mbeturina për të mbijetuar.

Dëmet e kequshqyerjes janë evidente në pamjen e fëmijëve. “Shohim fëmijë që në moshë janë 9 apo 10 vjeç, por trupi i tyre ngjan si ai i një dyvjeçari,” shton Black. Lëndimet në trup nuk shërohen më për shkak të mungesës së ushqimit, ndërsa sëmundjet respiratore janë përhapur në mënyrë masive për shkak të pluhurit dhe sulmeve ajrore të vazhdueshme.

“Nuk ekziston sistem shëndetësor në botë që mund të përballojë atë që ndodh këtu,” shprehet ajo me dëshpërim. Spitalet janë tejmbushur, energjia elektrike është minimale dhe stafi mjekësor punon në kushte ekstreme, shpeshherë pa ushqim dhe pa pushim.

Megjithatë, mes kësaj tragjedie, Black vlerëson heroizmin e stafit lokal shëndetësor në Gaza. “Janë të mrekullueshëm. Pavarësisht gjithçkaje, ata japin gjithçka çdo ditë për të ndihmuar pacientët, për të shpëtuar jetë.”

Gjendja humanitare në Gaza ka arritur një pikë kritike. Apeli për ndihmë ndërkombëtare është urgjent. Popullsia e pambrojtur po përballet me urinë, sëmundjet dhe mungesën e plotë të kujdesit bazë mjekësor, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon të mbetet në heshtje.

Ndaj Postimin: