Franca zgjeron ndalimin e duhanit në hapësirat publike për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve

Nga sot, pirja e duhanit ndalohet në plazhe, parqe, kopshte publike dhe stacione autobusësh për të mbrojtur fëmijët nga tymi pasiv

Franca ka ndërmarrë një tjetër hap të rëndësishëm në luftën kundër konsumit të duhanit. Qeveria ka miratuar një dekret të ri që ndalon pirjen e duhanit në zona publike si plazhet, parqet, kopshtet dhe stacionet e autobusëve. Masa hyn në fuqi menjëherë dhe synon të mbrojë në mënyrë të veçantë fëmijët nga ekspozimi ndaj tymit pasiv.

Dekreti i botuar në gazetën zyrtare të shtetit përfshin gjithashtu ndalimin e duhanit pranë shkollave, bibliotekave dhe pishinave. Megjithatë, tarracat e kafeneve janë përjashtuar nga kjo rregullore. Ata që shkelin ndalimin do të përballen me një gjobë prej 135 eurosh.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Familjes, Catherine Vautrin, ka deklaruar më herët se objektivi është të mbrohen të miturit: “Duhani duhet të zhduket nga vendet ku ka fëmijë. Ata kanë të drejtë të marrin frymë ajër të pastër,” u shpreh ajo në maj.

Në këtë dekret nuk përfshihen cigaret elektronike, një detaj që ka ngjallur diskutime në opinionin publik dhe mes ekspertëve të shëndetit, të cilët kërkojnë që edhe ato të përfshihen në të ardhmen në kuadrin e ndalimeve.

Franca përballet çdo vit me një numër të lartë viktimash nga pasojat e pirjes së duhanit. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 75 mijë persona humbasin jetën çdo vit si pasojë e sëmundjeve të lidhura me duhanin.

Një sondazh i fundit tregon mbështetje të konsiderueshme për këtë vendim. 62 për qind e qytetarëve francezë shprehen pro ndalimit të duhanit në hapësirat publike, duke sinjalizuar një ndryshim të qëndrimit shoqëror ndaj kësaj praktike.

Kjo nismë e re përkon me strategjinë afatgjatë të Francës për të reduktuar ndjeshëm normat e konsumit të duhanit dhe për të krijuar një mjedis më të shëndetshëm për të gjitha grupmoshat.

Ndaj Postimin: