Një 38-vjeçar u arrestua për vjedhjen e katër motomjeteve elektrike në Savër, ndërsa bashkëpunëtori i tij ndodhet në kërkim nga policia e Lushnjës.
Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë orëve të natës në lagjen “Savër” të Lushnjës, ku një subjekt privat u grabit nga persona të paidentifikuar. Katër motomjete elektrike dhe sende të tjera u morën nga ambientet e biznesit të shtetasit I. S., i cili njoftoi menjëherë policinë për ngjarjen, raporton gazetarja Mukades Dervishi.
Në reagim të shpejtë ndaj kallëzimit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë organizuan operacionin për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Falë informacioneve operative dhe hetimeve intensive, u identifikuan dy të dyshuar.
Njëri prej autorëve të dyshuar, shtetasi E. P., 38 vjeç, nga fshati Pirrë, u kap dhe u vu në pranga. Ndërkohë, bashkëpunëtori i tij, 34-vjeçari O. D., banues në qytetin e Lushnjës, është shpallur në kërkim. Policia po vijon punën për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Sipas burimeve zyrtare, hetimet janë ende në vijim dhe po analizohen të dhëna që mund të lidhin këta persona me ngjarje të tjera të ngjashme. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që kjo vjedhje të jetë pjesë e një serie sulmesh të organizuara ndaj bizneseve të zonës.
Materialet e çështjes janë dërguar pranë Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme ligjore ndaj të arrestuarit dhe bashkëpunëtorit në kërkim. Policia garanton se hetimet do të thellohen deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.