Shqiptari që ndërtoi nëndetëse për drogë dhe bleu pronë miliona dollarëshe në Republikën Dominikane

Dokumentet federale në SHBA zbulojnë se Ylli Didani, kreu i një rrjeti droge, investoi miliona nga trafiku i kokainës në një tokë buzë detit në Karaibe

Një rrëfim tronditës përfshin emrin e një shtetasi shqiptar, Ylli Didani, i akuzuar si drejtuesi i një rrjeti ndërkombëtar droge që operonte mes SHBA-së, Amerikës së Jugut dhe Europës. Dokumentet gjyqësore të depozituara në një gjykatë federale në Detroit tregojnë se 48-vjeçari nga Janjari i Konispolit ka blerë një pronë buzë detit në Republikën Dominikane me vlerë 3 milionë dollarë, duke përdorur para të gjeneruara nga trafikimi i drogës.

Prokurorët amerikanë sqaruan se Didani kishte transferuar rreth 200 mijë dollarë drejt SHBA-së përmes një metode të paligjshme të njohur si “metoda simbolike”, e cila përdoret zakonisht nga rrjete ndërkombëtare për të fshehur origjinën e fondeve. Pagesa ishte lehtësuar nga një rrjet kinez pastrimi parash i njohur si “Los Chinos”, të cilët menaxhojnë flukset financiare të grupeve kriminale në shkallë globale.

Vendimi i fundit i gjykatës e shpalli Didanin fajtor për disa akuza të rënda, përfshirë komplot për shpërndarje kokaine, trafik droge përmes mjeteve detare dhe pastrim parash. Sipas hetimeve, ai kryesonte një organizatë kriminale që kontrollonte rrugë të transportit të drogës përmes anijeve komerciale drejt Evropës.

Ndër vite, autoritetet amerikane kanë arritur të sekuestrojnë mbi 3.4 ton kokainë të lidhur me rrjetin e Didanit, të kapur në pesë anije të ndryshme mes viteve 2019 dhe 2020. Vlera e kësaj sasie në tregun e rrugës ka tejkaluar 100 milionë dollarë, duke e kthyer këtë rast në një nga operacionet më të mëdha të zbuluara së fundmi.

Detaje të reja zbuluan gjithashtu se Didani dhe njerëzit e tij kishin ndërtuar një pajisje nënujore të tipit “dron”, me të cilën ngjisnin paketat e drogës në trupin e anijeve, duke i shpëtuar kontrollit të zakonshëm doganor. Kjo teknologji e sofistikuar është përdorur për dërgimin e kokainës drejt porteve europiane.

Pas vendimit të gjykatës, shqiptari ndodhet aktualisht në paraburgim federal në SHBA dhe përballet me dënim maksimal me burgim të përjetshëm. Sipas autoriteteve amerikane, çështja kundër tij u ndërtua përmes një bashkëpunimi të gjerë mes DEA-s, IRS-it, doganës amerikane dhe policisë lokale në shtetin e Michiganit.

Rasti i Ylli Didanit është një tjetër dëshmi se rrjetet shqiptare të trafikut të drogës po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, duke përdorur teknologji moderne dhe struktura ndërkombëtare për të kontrolluar tregun e kokainës në dy kontinente.

Ndaj Postimin: