Serbë nga rajoni festojnë Vidovdanin në Gazimestan, mes masave të larta sigurie dhe paralajmërimeve për tensione

Policia e Kosovës mbetet në gatishmëri të plotë për të parandaluar çdo provokim gjatë ceremonive përkujtimore në Gazimestan

Më 28 qershor, serbë nga Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja u mblodhën në Gazimestan, pranë Prishtinës, për të festuar Vidovdanin – një ditë përkujtimore që shënon Betejën e Kosovës të vitit 1389. Ceremonia u organizua si çdo vit nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila zhvilloi edhe ritualet fetare në nder të ushtarëve të rënë.

Policia e Kosovës njoftoi se ka zbatuar një plan të posaçëm operativ për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të aktivitetit. Ajo u bëri thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve të shmangin çdo provokim dhe të respektojnë ligjet dhe rregullat në fuqi, duke theksuar përkushtimin për zbatimin e Kushtetutës dhe mbrojtjen e rendit publik.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, paralajmëroi për rrezikun e mundshëm të provokimeve nga grupe të ardhura nga Serbia dhe vende të tjera të rajonit. Sipas tij, shërbimet e sigurisë kanë sinjalizuar për prani të grupeve me qëllime destabilizuese, të cilët shfaqin simbole nacionaliste serbe e ruse që bien ndesh me ligjin dhe vlerat demokratike të Kosovës.

Nga ana tjetër, Petar Petkoviq, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cilësoi deklaratat e Kurtit si “të pabazuara” dhe akuzoi kryeministrin kosovar se po përgatit masa represive ndaj komunitetit serb, duke tentuar të justifikojë qëndrime politike të brendshme.

Vendimi i fundit i Gjykatës Themelore në Prishtinë për të ndaluar përdorimin e flamurit serb nga komuna e Graçanicës gjatë Vidovdanit ka nxitur debat. Gjykata argumentoi se vendimi i komunës shkelte kompetencat ligjore, pasi festa nuk njihet si zyrtare në Republikën e Kosovës.

Ministri Nenad Rashiq u shpreh se simbolet etnike nuk duhet të perceptohen si kërcënim ndaj identitetit të të tjerëve, por si pjesë e lirisë dhe tolerancës që garanton një shoqëri demokratike.

Megjithatë, Lista Serbe reagoi duke kërkuar që ndalimet të zbatohen në mënyrë të barabartë, përfshirë edhe ndalimin e flamurit shqiptar në ngjarje të ngjashme. Në sfondin e këtyre zhvillimeve, kujtohet edhe fjalimi i Sllobodan Millosheviqit në Gazimestan më 1989, që shihet si paralajmërim i konfliktit të mëvonshëm në Ballkan.

Ndaj Postimin: