Shpenzimet për bonusin e bebes bien ndjeshëm, ndryshimet ligjore dhe rënia e lindjeve ndikojnë te përfitimet

Vetëm 9 për qind e fondit për bonusin e bebeve u përdor në katër muajt e parë të vitit 2025 për shkak të lindjeve më të pakta dhe kritereve të reja ligjore

Përdorimi i fondit të bonusit për lindjet e reja në Shqipëri ka shënuar një rënie të ndjeshme në periudhën janar-prill 2025. Nga një total prej 2.25 miliardë lekësh të akorduara, vetëm 8.8% janë shpërndarë për 6,940 lindje, sipas raportit të Monitorimit të Treguesve Financiarë për këtë vit.

Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, fondi prej 2.2 miliardë lekësh kishte mbuluar 8,672 lindje, përfshirë 6,985 brenda vendit dhe 1,687 jashtë tij. Kjo tregon një ulje rreth 1% në numrin e bebeve përfituese brenda Shqipërisë për vitin 2025.

Krahasuar me vitin 2023, kur bonusi i bebes mbuloi 11,707 lindje brenda vendit dhe 5,107 lindje jashtë Shqipërisë, numri i përfituesve këtë vit ka rënë ndjeshëm. Në 2023, 43% e përfituesve ishin të lindur jashtë vendit, një përqindje që ka ndikuar drejtpërdrejt në ndryshimet e fundit ligjore.

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, lindjet në rang vendi ranë në 4,662, me një ulje prej 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rënie demografike, e kombinuar me përjashtimin e përfituesve jorezidentë, ka ndikuar në mosshfrytëzimin e plotë të fondit të bonusit.

Ndryshimet ligjore të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2023 kufizuan përfitimin vetëm për prindërit që kanë jetuar të paktën 180 ditë brenda territorit shqiptar në 12 muajt para lindjes. Këto të dhëna do të verifikohen përmes sistemit TIMS dhe një formulari vetëdeklarimi.

Nga viti 2019 deri në fund të 2022, janë shpërndarë gjithsej 11.5 miliardë lekë për 161,943 bebe, prej të cilave rreth 33% ishin të lindura jashtë Shqipërisë. Kjo përqindje e lartë ka nxitur ndryshimet ligjore që tani e kufizojnë skemën vetëm për rezidentët.

Gjatë fushatës elektorale të majit, kryeministri Edi Rama njoftoi se bonusi aktual do të zëvendësohet me një sistem të ri mbështetjeje. Skema e re do të bazohet në pagesa të menjëhershme për fëmijë, sipas periudhave kohore 2, 3 dhe 5 vjeçare, duke përfshirë më shumë komponentë socialë dhe ekonomikë në ndarjen e ndihmës.

Ndaj Postimin: