Rritje historike e vizitorëve në Lushnje, ku viti 2025 pritet të thyejë çdo parashikim turistik sipas të dhënave nga muzeu dhe agjencitë, sipas gazetarit Ndriçim Gjoshi.
Qyteti i Lushnjes, me pozicionin e tij ndërmjet Beratit, Apollonisë dhe Ardenicës, po përjeton një ringjallje të vërtetë turistike gjatë vitit 2025. Pas një viti të suksesshëm në 2024, vizitat janë shtuar ndjeshëm, me një interes të shtuar nga turistët vendas dhe të huaj.
Muzeu Historik dhe Shtëpia e Kongresit të Lushnjes janë kthyer në qendra kryesore të vizitës, të ndjekura nga Manastiri i Ardenicës dhe kishat në zonë. Po ashtu, dy urat e vjetra dhe peizazhet natyrore po tërheqin vëmendje të veçantë.
Në një intervistë për TV Apollon, përgjegjësi i muzeut, doktori i shkencave Niko Ferra, deklaroi se Lushnja është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara, veçanërisht për agjencitë që ofrojnë guida njëditore dhe dyditore. Ai theksoi se, krahasuar me vitin e kaluar, statistikat e këtij viti tejkalojnë çdo parashikim.
Ferra theksoi gjithashtu se “Lushnja e Kongresit” dhe “Lushnja e Myzeqesë” po përjetojnë një rikthim të identitetit historik e kulturor, duke u përfshirë gjithnjë e më shumë në rrjetet e guidave kombëtare. Ai u shpreh se interesi për historinë, traditën dhe trashëgiminë po rikthehet fuqishëm.
Agjencitë turistike në qytet kanë njoftuar për një rritje të ndjeshme të prenotimeve nga grupe të organizuara, sidomos nga vendet evropiane. Vizitorët janë të interesuar për historinë, natyrën dhe ushqimin tradicional të zonës.
Zyrtarët vendorë parashikojnë që ky trend të vijojë gjatë gjithë vitit 2025. Falë bashkëpunimit mes institucioneve kulturore, bashkisë dhe sektorit privat, turizmi në Lushnje po kthehet në një motor zhvillimi lokal.