Zjarret përfshijnë Palaia Fokaias, autoritetet urdhërojnë evakuimin e katër zonave banimi afër Athinës

Zjarret kanë përfshirë shtëpi në jug të Athinës, ndërsa autoritetet greke urdhërojnë evakuim në katër vendbanime për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve

Zjarret masive kanë përfshirë zonën bregdetare të Palaia Fokaias, vetëm 40 kilometra larg Athinës, duke detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuimin e katër vendbanimeve përreth. Flakët kanë mbërritur pranë banesave, duke rrezikuar jetën e banorëve dhe dëmtuar pasuritë e tyre.

Në operacionin e shuarjes janë përfshirë 90 zjarrfikës, të ndihmuar nga tetë avionë dhe pesë helikopterë, ndërsa era e fortë e ka bërë të vështirë kontrollin e situatës. Zjarrfikësit janë përballur me një terren të vështirë dhe përhapje të menjëhershme të flakëve, ndërsa banorët janë evakuuar në mënyrë urgjente.

Pamjet e transmetuara nga televizioni grek tregojnë shtëllunga të mëdha tymi që mbulojnë zonën, si dhe një helikopter që hedh ujë mbi flakët. Deri më tani, nuk ka të dhëna të sakta për numrin e shtëpive të shkatërruara nga zjarri.

Greqia po përballet me temperatura përvëluese që kanë arritur deri në 38 gradë Celsius. Këto kushte ekstreme, të ndikuara nga ndryshimet klimatike, kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën. Vitet e fundit, vendi është goditur vazhdimisht nga zjarre dhe përmbytje, me pasoja të rënda për ekonominë dhe mjedisin.

Përballë rrezikut në rritje, qeveria greke ka investuar qindra miliona euro për të kompensuar dëmet dhe për të përforcuar kapacitetet e emergjencave civile. Janë blerë pajisje moderne për shuarjen e zjarreve dhe është shtuar ndjeshëm personeli.

Aktualisht, numri i zjarrfikësve në Greqi ka arritur në 18 mijë, një rekord historik, për të përballuar një verë që parashikohet e rrezikshme dhe e mbingarkuar me zjarre. Autoritetet apelojnë për vigjilencë dhe bashkëpunim nga qytetarët në përballjen me emergjencën.

Ndaj Postimin: