Autoritetet në Fier njoftojnë arrestime, procedime penale dhe një rast tragjik vetëvrasjeje, në kuadër të operacioneve të fundit hetimore
Drejtoria Vendore e Policisë në Fier ka zhvilluar një sërë veprimesh hetimore gjatë 24 orëve të fundit, duke ndaluar persona të shpallur në kërkim dhe duke nisur procedime për vepra të ndryshme penale.
Në pikën kufitare të Rinasit, shërbimet e Policisë Kufitare arrestuan 42-vjeçarin A. Ç., i shpallur më herët në kërkim. Ai rezulton me masë sigurie “Arrest në burg”, të vendosur nga Gjykata e Fierit për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Ndërkohë, në zonën turistike të Divjakës, katër persona janë proceduar penalisht nga Seksioni për Krimet Ekonomiko-Financiare, pasi rezultuan pa kasë fiskale në subjektet që administronin. Të proceduarit janë shtetasit R. O., O. D., E. Sh. dhe N. M., të moshave nga 24 deri në 48 vjeç.
Në Lushnjë, policia ka marrë në shqyrtim tri raste të veçanta. K. B. nga Karbunarë e Madhe dhe S. Ll. nga Rrupaj ndezën zjarre për djegie mbeturinash, duke dëmtuar sipërfaqe toke dhe sera pranë zonave të banuara. Ndërkohë, 22-vjeçari B. Sh. dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.
Po ashtu, në Divjakë, është nisur një procedim penal ndaj shtetases L. L., 60 vjeçe, pasi dyshohet për ushtrim dhune ndaj nuses së djalit.
Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Ngjeqar, ku dyshohet se një 31-vjeçare, E. A., është vetëvarur gjatë natës. Ajo ndërroi jetë në spital, ndërsa një grup hetimor po punon nën drejtimin e Prokurorisë për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e rastit.
Ndërkohë, në Komisariatin e Fierit është paraqitur 29-vjeçari M. H., i cili ka denoncuar zhdukjen e babait të tij, 65-vjeçarit K. H., që nga data 19 qershor. Policia po punon për lokalizimin e tij.
Të gjitha materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme hetimore dhe ligjore.