Irani nis operacion kundër bazës amerikane në Katar, ndërsa vendi pezullon fluturimet për arsye sigurie

Teherani godet bazën Al Udeid në Katar me operacionin “Besharat al-Fath”, autoritetet katareze mbyllin përkohësisht hapësirën ajrore

Sipas raportimeve të televizionit shtetëror iranian IRIB, autoritetet iraniane kanë ndërmarrë një operacion të koduar “Besharat al-Fath” duke goditur bazën ushtarake amerikane Al Udeid, e pozicionuar në Katar. Ky veprim është konsideruar një sinjal i qartë për përshkallëzim të tensioneve në rajon.

Pas këtij zhvillimi, autoritetet në Katar kanë vendosur të mbyllin përkohësisht hapësirën ajrore, si një masë për të garantuar sigurinë publike. Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit njoftoi se pezullimi i fluturimeve është një masë paraprake për të mbrojtur qytetarët, banorët dhe vizitorët.

Në deklaratën zyrtare thuhet se autoritetet janë duke ndjekur me vëmendje zhvillimet në rajon dhe po bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtarë për të vlerësuar situatën në terren. “Po e trajtojmë me serioz çdo skenar të mundshëm,” u shpreh ministria.

Ministria gjithashtu theksoi se nuk do të ngurrojë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të ruajtur rendin dhe sigurinë në vend, në rast të ndonjë kërcënimi më të madh që mund të shfaqet.

Operacioni i shpallur nga Irani ka krijuar shqetësim jo vetëm në Katar, por edhe në mbarë rajonin e Gjirit. Baza Al Udeid, ku janë të vendosura forca të rëndësishme amerikane, ka qenë një pikë strategjike për operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme.

Aktualisht nuk ka raportime për dëme apo viktima, por pasojat e këtij zhvillimi pritet të reflektohen në lëvizjet diplomatike dhe ushtarake të ditëve në vijim. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar po i ndjek nga afër lëvizjet e aktorëve kryesorë në këtë situatë të tensionuar.

Ndaj Postimin: