Gjykata e Fierit dënon me 12 vjet burg Florian Mukën për vrasjen e Grei Bihucit dhe liron të miturin për shkak të kohës në paraburgim
Gjykata e Fierit shpalli sot vendimin përfundimtar për ngjarjen tragjike të ndodhur më 11 mars 2024, ku 20-vjeçari Grei Bihuci humbi jetën në qendër të qytetit. Seanca u zhvillua nën masa të larta sigurie dhe me praninë e të gjitha palëve të përfshira në procesin gjyqësor.
Trupi gjykues i përbërë nga Genci Busho si kryetar dhe anëtarët Vladimir Cjapi e Elira Hroni, në prani të prokurorit të çështjes Petrit Vukaj dhe avokatit mbrojtës Ervis Goxhaj, analizoi provat dhe dëshmitë e mbledhura gjatë hetimeve.
Prokurori kërkoi shpalljen fajtor të të dy të akuzuarve, duke kërkuar 25 vjet burg për Florian Mukën dhe 12 vjet për kushëririn e tij 16-vjeçar, të identifikuar me inicialet K.M. Megjithatë, mbrojtja e paraqitur nga avokati Goxhaj argumentoi se vrasja ishte kryer në kushte vetëmbrojtjeje dhe se i mituri nuk kishte pasur rol aktiv.
Gjatë seancës, Florian Muka pranoi autorësinë e krimit dhe kërkoi ndjesë për veprën e kryer. Po ashtu, edhe i mituri shprehu pendesë, duke deklaruar se ndodhej në vendngjarje, por nuk kishte marrë pjesë në konflikt. Ai u akuzua për moskallëzim krimi.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjykata vendosi të ndryshojë kualifikimin e veprës për Florian Mukën nga vrasje me paramendim në vrasje në kushtet e tronditjes së fortë, duke e dënuar me 12 vjet burg. Vendimi u mor bazuar në nenin 76 të Kodit Penal, për shkak të pranim-kajës dhe pendesës së shfaqur.
Për të miturin K.M., fillimisht u kërkua dënimi me 12 vjet, por për shkak se ai u gjykua vetëm për moskallëzim krimi, gjykata e dënoi me 1 vit burg. Meqenëse ai kishte kryer këtë kohë në paraburgim, u urdhërua lirimi i menjëhershëm i tij.
Ky vendim shënon një etapë të rëndësishme në përmbylljen e një rasti që tronditi opinionin publik dhe nxori në pah edhe një herë nevojën për adresimin e konflikteve mes të rinjve me mekanizma parandalues.