Papa Leone bën thirrje për paqe dhe ndërprerje të dhunës në Lindjen e Mesme

Papa Leone XIV u kërkon liderëve botërorë të ndalin përplasjet në Iran, Izrael e Gaza dhe të dëgjojnë klithmën e popujve për paqe

Në një moment vendimtar për fatet e Lindjes së Mesme, Papa Leone XIV ka bërë një apel të fuqishëm për paqe, gjatë fjalimit të tij të së dielës në lutjen Angelus nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan. Ai kërkoi që zërat e viktimave të mos mbyten nga zhurmat e armëve.

Papa u ndal veçanërisht tek përshkallëzimi i dhunës në Iran, Izrael dhe territoret palestineze, duke vënë theksin te pasojat tragjike që po përjetojnë civilët, në veçanti në Rripin e Gazës. Ai shprehu shqetësim për indiferencën ndërkombëtare ndaj vuajtjes së përditshme të popullatave të pambrojtura.

“Lajmet që vijnë nga Lindja e Mesme janë gjithnjë e më alarmante, veçanërisht për situatën në Iran. Dhimbja e civilëve në Izrael dhe Palestinë po injorohet, dhe kjo është e papranueshme,” tha Papa.

Në thirrjen e tij drejtuar liderëve botërorë, ai kërkoi maturi dhe përgjegjësi, duke theksuar se “njerëzimi sot ka më shumë se kurrë nevojë për paqe. Kjo klithmë nuk duhet të mbetet pa përgjigje, e aq më pak të mbulohet nga zhurma e armëve apo gjuhë nxitëse ndaj konfliktit”.

Papa Leone XIV theksoi se lufta nuk është kurrë zgjidhje, por burim i vuajtjeve të gjata që lënë plagë të thella në histori. Ai i kujtoi botës se përmes dhunës nuk ndërtohet asgjë, por shkatërrohet gjithçka që është ndërtuar me përpjekje shumëvjeçare.

“Konfliktet nuk e ndalin vuajtjen, por e shtojnë atë. Lufta i thellon ndarjet mes popujve dhe kërkon breza të tërë për të shëruar pasojat,” u shpreh ai me ton të vendosur.

Papa përmbylli fjalimin me një thirrje të qartë dhe të fortë: “Le të jetë diplomacia ajo që hesht armët. Paqja nuk ndërtohet mbi urrejtje, por mbi dialog dhe mirëkuptim.”

Ndaj Postimin: