Fasoneria po përballet me humbje të mëdha për shkak të tregjeve

Sektori i industrisë së përpunimit, sidomos ai i fasonerisë, po përballet me një krizë të rëndë për shkak të humbjeve të mëdha nga ndryshimet në kursin e këmbimit.

Rënia e euros dhe vështirësitë në ruajtjen e përfitimeve për punonjësit janë kthyer në problem të përhershëm, duke çuar shumë njësi prodhimi drejt mbylljes.

Në vitin 2021, një punonjës me aftësi të larta në një rrobaqepësi në Tiranë fitonte mesatarisht 55,000-60,000 lekë në muaj, përfshirë pagën minimale dhe një shpërblim prej rreth 20,000 lekësh. Ky shpërblim shtesë ishte një përfitim i rëndësishëm, që, sipas A. Mustafës, një administrator me përvojë të gjatë në këtë sektor, nuk ishte pjesë e pagës bazë.

Situata ka ndryshuar rrënjësisht sot, pasi shpërblimet ose nuk jepen më fare, ose janë ulur ndjeshëm. Kjo ka sjellë një rënie të madhe në të ardhurat e punonjësve, çka i ka detyruar shumë prej tyre të largohen nga puna. Megjithatë, edhe kur kërkojnë punë në fabrika të tjera, përballen me kushte të njëjta: shpërblimet janë të ulëta ose mungojnë krejtësisht.

Për punonjësit e tekstileve dhe këpucëve, që shpesh kanë dekada përvojë, integrimi në sektorë të tjerë është i vështirë. Si pasojë, një pjesë e tyre pranojnë të punojnë në kushtet e reja, megjithë uljen e pagës. Ndërkohë, qindra njësi prodhimi të veshjeve dhe këpucëve, që operonin si nënkontraktorë, kanë mbyllur aktivitetin në dy vitet e fundit, duke lënë mijëra punonjës të papunë.

Për fat të keq, efektet e kësaj krize në punësim mbeten të pamatshme për vitin 2024, pasi ende nuk janë publikuar treguesit e rinj nga INSTAT. Sipas të dhënave nga fabrikat e mëdha, situata nuk pritet të përmirësohet, pasi shumë kompani e konsiderojnë krizën të pakthyeshme.

Rënia e kërkesës nga jashtë, bashkë me rritjen e kostove të punës dhe humbjet e vazhdueshme nga kursi i këmbimit, i kanë ulur të ardhurat e industrisë së fasonit me 30% në vitin 2023. Këto sfida kanë detyruar industrialistët të shkurtojnë 35% të fuqisë punëtore dhe të kërkojnë mundësi diversifikimi në sektorë të tjerë.

Një nga goditjet më të mëdha ka ardhur nga rënia e euros. Në fillim të vitit 2022, euro këmbehej rreth 123 lekë, ndërsa tani ka zbritur nën 100 lekë. Kjo rënie prej 18% ka ulur ndjeshëm të ardhurat nga eksportet, duke bërë që fabrikat të përballen me vështirësi financiare të mëdha, pavarësisht sasisë së punës së kryer.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera