Zjarr gjatë punimeve pranë Roskovecit, tymi i dendur mbulon zonën bujqësore

Flakët përfshijnë tubacionet plastike gjatë saldimit në Sheqishte, ndërhyrja e zjarrfikësve shmang përhapjen në sipërfaqe më të gjera

Një zjarr ka shpërthyer mesditën e sotme në fshatin Sheqishte të bashkisë Roskovec, gjatë punimeve për instalimin e një rrjeti ujor pranë kënetës së zonës. Flakët nisën teksa po kryhej saldimi i disa tubacioneve plastike të parashikuara për sistemin e ujitjes së tokave bujqësore.

Punimet po zhvilloheshin në kuadër të një projekti të bordit të kullimit, i cili synon të përmirësojë rrjetin e vaditjes në tokat përreth. Por, për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së masave mbrojtëse, zjarri doli jashtë kontrollit për disa minuta.

Flakët u përhapën me shpejtësi duke përfshirë të gjithë zonën përreth, ndërsa re të dendura tymi të zi u ngritën mbi vendin e ngjarjes, duke alarmuar banorët dhe kalimtarët.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë tre mjete të shërbimit zjarrfikës dhe një autobot me ujë, të cilët bënë të mundur izolimin dhe shuarjen e flakëve para se ato të rrezikonin hapësira më të mëdha bujqësore.

Fatmirësisht, nga incidenti nuk ka persona të lënduar dhe nuk raportohet për dëme të mëdha materiale në zonën përreth, përveç shkrumbimit të pajisjeve plastike që po përdorej në punime.

Autoritetet lokale pritet të nisin një hetim për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit dhe nëse janë respektuar masat e sigurisë gjatë punës së saldimit. Ndërkohë, puna për përfundimin e projektit të vaditjes është pezulluar përkohësisht.

Ndaj Postimin: