Lokali në Fushë-Krujë qëllohet me armë automatike, në shënjestër ish-shoferi i prokurorit Ndoja

Persona të paidentifikuar qëlluan me 15 plumba kallashnikovi ndaj lokalit të Mondi Vogës, i cili ndodhej brenda me familjen

Një sulm me armë zjarri tronditi Fushë-Krujën në orët e vona të natës, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan në drejtim të një lokali me breshëri prej 15 plumbash kallashnikovi. Objektivi ishte lokali në pronësi të Mondi Vogës, i cili ndodhej brenda me familjarët në momentin e sulmit.

Fatmirësisht, nuk ka të lënduar nga ngjarja, por autoritetet po e trajtojnë rastin si një incident serioz me sfond të mundshëm kriminal. Policia nisi menjëherë hetimet dhe po punon për identifikimin e autorëve përmes kamerave të sigurisë dhe gjurmëve balistike.

Mondi Voga nuk është një emër i panjohur për organet e drejtësisë. Ai është arrestuar në vitin 2020 për armëmbajtje pa leje, kur në automjetin e tij u gjet një pistoletë. Emri i tij është përfshirë edhe në incidente të tjera të dhunshme.

Në një rast të mëparshëm, ai u filmua nga kamerat e sigurisë pranë Prokurorisë së Durrësit teksa dhunonte avokatin Ilia Ilia. Viktima e identifikoi menjëherë Vogën dhe e raportoi si autor të sulmit, duke theksuar se kishte qenë shofer i prokurorit Arjan Ndoja.

Pas këtij incidenti, Voga u shpall në kërkim nga policia, por më vonë u lirua. Lidhjet e tij me emra të njohur të drejtësisë kanë shtuar dyshimet se ngjarja e fundit mund të ketë motive më të thella. Autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë, ndërsa hetimet janë në vijim.

Ndaj Postimin: