Kremlini paralajmëron për pasoja të rënda në rast të një atentati ndaj udhëheqësit suprem të Iranit

Zëdhënësi i Kremlinit e quan të papranueshme vrasjen e Khameneit dhe paralajmëron për përhapje të ekstremizmit në Iran

Kremlini ka paralajmëruar ashpër për pasojat e mundshme që do të sillte një ndryshim i detyruar i regjimit në Iran apo një atentat ndaj liderit suprem të vendit, Ajatollah Ali Khamenei. Në një intervistë për Sky News, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se një skenar i tillë do të “hapte kutinë e Pandorës” dhe do të ishte krejtësisht i papranueshëm.

I pyetur për një mundësi të tillë hipotetike nga gazetari Ivor Bennett, nëse Izraeli me mbështetjen e SHBA-së do të synonte vrasjen e Khameneit, Peskov u përgjigj prerazi: “Do të reagonim shumë negativisht, ne do ta kundërshtonim fuqimisht atë.”

Sipas tij, një atentat i tillë do të shkaktonte reagime të forta brenda vetë Iranit, duke nxitur një valë të re ekstremizmi dhe destabiliteti. “Do të nxisë një atmosferë radikale në vend, dhe ata që përmendin këtë mundësi duhet ta kenë shumë mirë parasysh këtë fakt,” tha ai.

Peskov shtoi se edhe diskutimi për ndryshim të regjimit është i patolerueshëm nga këndvështrimi i Kremlinit. Ai e cilësoi të paimagjinueshme idenë e një ndërhyrjeje që synon të përmbysë qeverinë aktuale në Teheran.

Duke përforcuar qëndrimin rus në lidhje me sovranitetin e Iranit, Peskov theksoi se vendet perëndimore duhet të përmbahen nga ndërhyrjet dhe provokimet që mund të përshkallëzojnë konfliktet në rajon. Sipas tij, qëndrueshmëria në Lindjen e Mesme nuk arrihet me atentate apo tentativa për ndryshime të dhunshme pushteti.

Ndaj Postimin: