Më shumë se 60 avionë izraelitë goditën objektiva ushtarake në Teheran, përfshirë selinë e programit iranian të zhvillimit bërthamor SPND
Izraeli ka ndërmarrë një nga sulmet më të mëdha ajrore të viteve të fundit ndaj Iranit, duke shënjestruar dhjetëra objektiva ushtarake në Teheran dhe zonat përreth. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) konfirmuan se gjatë natës janë goditur struktura të rëndësishme të lidhura me prodhimin e raketave dhe zhvillimin bërthamor.
Në deklaratën e saj zyrtare, ushtria izraelite bëri të ditur se disa ndërtesa industriale të ndërtuara ndër vite u shkatërruan. Këto qendra konsiderohen si shtylla e prodhimit të raketave nga Ministria e Mbrojtjes iraniane.
Sipas IDF-së, një ndër objektivat kryesore ishte selia e programit SPND, një agjenci kërkimore ushtarake që Shtetet e Bashkuara e lidhin drejtpërdrejt me projektin bërthamor të Iranit, i cili thuhet se është ndërprerë para vitit 2004, por që mund të jetë zhvilluar fshehurazi.
Operacioni ushtarak përfshiu mbi 60 avionë luftarakë të Forcave Ajrore izraelite, të cilët morën pjesë në një seri bombardimesh preçize. Burime të afërta me ushtrinë izraelite thanë se sulmet ishin të përgatitura në detaje dhe kishin për qëllim të dëmtonin kapacitetin e Iranit për të zhvilluar teknologji raketore dhe bërthamore.
Zyrtarët izraelitë nuk kanë bërë ende të ditur nëse do të ndërmerren goditje të mëtejshme, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ka nisur të reagojë me shqetësim për përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Mesme.
Teherani nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar për këto sulme, por analistët paralajmërojnë se një përgjigje ushtarake iraniane është shumë e mundshme në ditët në vijim, duke rritur rrezikun për një konflikt më të gjerë rajonal.