Pavarësisht një dënimi me 11 vite burg dhe fotove me 250 mijë paund cash, gjykata pranon apelimin kundër deportimit të Olsi Behlulit nga Mbretëria e Bashkuar
Një shtetas shqiptar i dënuar për trafik heroine është lejuar të qëndrojë në Britaninë e Madhe, megjithëse autoritetet kërkuan deportimin e tij. Bëhet fjalë për Olsi Behlulin, 33 vjeç, i dënuar në vitin 2015 me 11 vite burg për furnizim me drogë të klasës A, konkretisht tetë kilogramë heroinë me vlerë mbi 200 mijë paund.
Behluli, i cili kishte mbërritur në Britani në moshën nëntëvjeçare, u kap vetëm tetë muaj pasi mori shtetësinë britanike, duke transportuar sasinë e drogës drejt një “shtëpie magazinimi” në Neasden. Në vendngjarje, hetuesit gjetën dokumente false dhe mjete për peshimin e drogës. Në telefonin e tij, Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) zbuloi një foto ku ai shihej i rrethuar nga 250 mijë paund cash.
Pavarësisht pretendimeve të Ministrisë së Brendshme dhe NCA-së se Behluli kishte një rol të lartë brenda rrjetit kriminal dhe kishte mashtruar gjatë aplikimit për shtetësi, një gjykatës i tribunalit të shkallës së ulët vendosi të pranonte apelin e tij kundër deportimit, për shkak të mungesës së provave direkte.
Gjykata vlerësoi se nuk ekzistonin survejime, dëshmi nga policë apo prova të tjera që ta lidhin Behlulin me krime para aplikimit për shtetësi. Sipas këtij vendimi, nuk mund të provohej se ai ishte i përfshirë në krim në kohën kur kishte deklaruar se kishte karakter të pastër.
Ministria e Brendshme e apeloi vendimin, duke theksuar se sasia e madhe e drogës dhe parave të zbuluara nuk mund t’i besoheshin dikujt pa përvojë në tregtinë e heroinës. Gjykata e nivelit të lartë urdhëroi rihapjen e çështjes, duke e cilësuar si të papërshtatshme përjashtimin e pretendimeve të Sekretarit të Shtetit vetëm mbi bazën e mungesës së provave vizuale.
Në dokumentet gjyqësore, zbulohet se familja e Behlulit kishte kërkuar azil në vitin 2000. Fillimisht u refuzuan, më pas ata përfituan qëndrim të përhershëm në mënyrë “të çuditshme” në vitin 2006, përpara se Behluli të merrte shtetësinë britanike në 2014. Arrestimi i tij ndodhi vetëm tetë muaj më pas.
Rasti i Behlulit është pjesë e një serie çështjesh të zbuluara nga “The Telegraph”, ku të dënuar për krime të rënda arrijnë të shmangin deportimin, duke u mbështetur në mbrojtjet ligjore që garanton Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. Ministria e Brendshme pritet të propozojë masa ligjore për të forcuar kriteret e dëbimit.