Sali Berisha deklaron se deputeti socialist Arkend Balla ka qenë i punësuar në një kompani të lidhur me një kartel droge ndërkombëtar dhe mund të jetë emri i ri për Ministrinë e Brendshme
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta në drejtim të deputetit të Partisë Socialiste në Qarkun e Durrësit, Arkend Balla, të cilin e ka cilësuar si të lidhur me kartelet e drogës dhe organizatat kriminale që, sipas tij, kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të fundit.
Në një deklaratë për shtyp nga selia blu, Berisha theksoi se Balla është përzgjedhur si kandidati kryesor për të marrë postin e ministrit të Brendshëm në kabinetin e ardhshëm të Edi Ramës. Ai u ndal tek rezultati i Ballës në zgjedhjet e 11 majit 2025, ku ky i fundit grumbulloi mbi 20 mijë vota, 5200 më shumë se vetë kryeministri Rama.
Berisha pretendoi se Balla ka qenë i punësuar në kompaninë “Nisatel”, të cilën e lidh me familjen Danaj, një grup sipas tij i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge. Ai përmendi dokumente të publikuara që tregojnë se deputeti kishte deklaruar vetëm një vend pune në universitetin e Durrësit, ndërkohë që figuron i punësuar nga Nisatel nga qershori 2021 deri në gusht 2023.
Sipas kryedemokratit, Nisatel ka përfituar rreth 900 mijë euro nga fondet publike gjatë periudhës 2015-2025 dhe është në pronësi të Sadrit Danajt, një emër që, sipas tij, është denoncuar më herët nga PD për vepra penale gjatë kohës kur ishte në drejtimin e qarkut Vlorë.
Berisha gjithashtu përmendi lidhje të tjera të dyshuara mes familjes Danaj dhe personazheve të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge nga antimafia italiane, përfshirë Elvis Doçin, të cilin e identifikoi si “Visi i Pojës”. Këto lidhje, sipas tij, e bëjnë Ballën përfaqësues të interesave të kartelit Troplini në politikën shqiptare.
Lideri i opozitës akuzoi qeverinë Rama për bashkëpunim me krimin e organizuar dhe për përfshirje të drejtpërdrejtë të karteleve të drogës në zgjedhje, të cilat i cilësoi si farsë elektorale e orkestruar për të mbrojtur interesa të errëta dhe jashtëligjshme.
Deri më tani, Arkend Balla dhe Partia Socialiste nuk kanë reaguar ndaj deklaratave të Berishës. Por akuzat pritet të trazojnë më tej klimën politike, ndërsa përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës vazhdojnë të thellohen.