Frika dhe heshtja mbulojnë Teheranin mes sulmeve: Jeta në qytetin që po zbrazet nga lufta

Ndërprerjet e komunikimit, frika në rrugë dhe shpërthimet kanë kthyer Teheranin në një qytet të heshtur dhe të braktisur nga banorët

Ndërsa përplasja mes Izraelit dhe Iranit përshkallëzohet, kryeqyteti iranian Teheran po përjeton ditë të zymta. Me një popullsi prej 14 milionë banorësh, qyteti po zbrazet dita-ditës, ndërsa frika, shpërthimet dhe bllokimi i komunikimeve kanë ndryshuar rrënjësisht jetën e përditshme të qytetarëve.

Të mërkurën, lidhjet me botën e jashtme u ndërprenë plotësisht për iranianët, për shkak të ndërprerjeve masive të internetit. Para se komunikimi të bllokohej tërësisht, disa qytetarë arritën të ndanin mesazhe zanore e tekstuale që përshkruanin realitetin në Teheranin e tronditur nga sulmet.

Një prej tyre, Asadi, një inxhinier i ri që përdor pseudonim për siguri, tregoi se kur u rikthye në qytet pas fillimit të bombardimeve, pamja ishte tronditëse. Ai përshkroi se kishte parë një kullë me katet e sipërme të shkatërruara dhe një atmosferë tensioni që i ngjalli një ndjesi fizike frike në stomak. Ai theksoi se shpërthimet ishin aq të afërta, sa njerëzit dilnin të tmerruar nga shtëpitë për të parë qiellin.

Ndërsa frika përforcohej nga mungesa e paralajmërimeve për sulmet, disa qytetarë u përpoqën të ndihmonin njëri-tjetrin. Vullnetarë iu bashkuan Gjysmëhënës së Kuqe për të ndihmuar në shpëtim dhe kujdes. Asadi kujtoi një skenë ku pa një grua të moshuar të tronditur dhe një burrë që kishte kërcyer nga ndërtesa nga paniku, me rrobat e brendshme.

Me çdo ditë që kalon, rrugët e Teheranit po boshatisen. Forcat e sigurisë kanë rritur praninë në rrugë, duke ngritur pika kontrolli të shumta. Interneti mbetet i kufizuar rëndë, por mesazhet dhe thirrjet brenda vendit ende funksionojnë. Ndonëse Asadi nuk ka miq të lënduar, ai tregon se dritaret e mikut të tij u thyen nga një valë tronditëse.

Qyteti tashmë është i panjohur për banorët. Dyqanet janë ose të mbyllura, ose funksionojnë pjesërisht vetëm gjatë ditës. Asadi thotë se qyteti i gjallë dikur, tani është i zbrazur dhe i heshtur. Ai përmbylli dëshminë me fjalët: “Ndjehet si një makth nga i cili ende nuk jemi zgjuar.”

Ndaj Postimin: