Arbër Hoxha në fokusin e merkatos, interes nga Turqia dhe Gjermania për sulmuesin shqiptar

Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Arbër Hoxha, mund të largohet nga Dinamo Zagreb, ndërsa interesimi për të po vjen nga Turqia dhe Bundesliga 2.

E ardhmja e Arbër Hoxhës te Dinamo Zagreb duket gjithnjë e më e pasigurt, ndërsa burime pranë klubit dhe raportime nga mediat ndërkombëtare flasin për një interes të shtuar nga ekipe jashtë Kroacisë. Sulmuesi shqiptar, i cili këtë sezon ka regjistruar 31 paraqitje, 3 gola dhe 3 asiste, po shihet si një profil i vlefshëm në treg.

Skuadra nga Superliga turke kanë shprehur interes konkret për Hoxhën, ndërsa edhe disa klube në Bundesliga 2 në Gjermani kanë kryer sondazhe për të analizuar një transferim të mundshëm. Këto zhvillime kanë krijuar një atmosferë spekulimesh për një largim të tij të afërt nga Zagrebi.

Pavarësisht interesimit në rritje, Hoxha mbetet i lidhur kontraktualisht me Dinamo Zagreb deri në vitin 2027. Kjo do të thotë se çdo klub i interesuar duhet të bëjë një ofertë bindëse për ta larguar sulmuesin nga kampionët e Kroacisë.

Nuk përjashtohet mundësia që në garë të përfshihet edhe ndonjë klub surprizë, çka mund ta bëjë akoma më interesante ktë merkato verore për 26-vjeçarin. Me një profil teknik të qëndrueshëm dhe eksperiencë në ndeshje me peshë, Hoxha shihet si përforcim i menjëhershëm në repartin ofensiv për disa skuadra të njohura europiane.

Në një moment kur Kombëtarja Shqiptare është në një fazë të rëndësishme për ndërtimin e skuadrës të së ardhmes, një lëvizje e tillë mund të ndikojë pozitivisht edhe në formën dhe ritmin e Hoxhës në nivel ndërkombëtar.

Për momentin, as lojtari dhe as përfaqësuesit e tij nuk kanë bërë komente zyrtare, por situata pritet të qartësohet në javët e ardhshme, ndërsa merkatoja verore nis të marrë formë.

Ndaj Postimin: