Presidenti Erdogan deklaron se Irani ka të drejtën ligjore të mbrohet ndaj agresionit dhe terrorizmit shtetëror të Izraelit
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka dalë në mbështetje të Iranit duke e konsideruar të ligjshme të drejtën e këtij shteti për vetëmbrojtje përballë sulmeve të vazhdueshme të Izraelit. Në një deklaratë për mediat, Erdogan e cilësoi reagimin e Iranit si “të natyrshëm, legjitim dhe të drejtë në kushtet e një agresioni të vazhduar”.
Duke folur për situatën në Lindjen e Mesme, presidenti turk e akuzoi qeverinë izraelite për “terrorizëm shtetëror dhe banditizëm”, ndërsa vuri në dukje se kryeministri Benjamin Netanyahu përbën “kërcënimin më të madh për sigurinë rajonale”. Ai theksoi se sulmet izraelite janë zhvilluar në kohën kur ishin në proces negociatat për çështjen bërthamore të Iranit.
Sipas Erdogan, Izraeli, i cili zotëron armë bërthamore dhe nuk respekton asnjë marrëveshje ndërkombëtare, ka vepruar në mënyrë të njëanshme dhe ka ndërmarrë një akt të pastër terrorizmi pa pritur përfundimin e negociatave. Ai njoftoi se të gjitha institucionet e sigurisë në Turqi janë në gjendje gatishmërie për të përballuar çdo pasojë të mundshme.
“Ne po ndjekim nga afër këto sulme terroriste të Izraelit kundër Iranit dhe po përgatitemi për çdo skenar të mundshëm që mund të përfshijë edhe sigurinë e Turqisë. Askush nuk duhet të guxojë të na testojë”, u shpreh Erdogan në një qëndrim të prerë.
Për të forcuar mbrojtjen kombëtare, Erdogan deklaroi se i ka urdhëruar strukturat e industrisë së mbrojtjes të përshpejtojnë prodhimin e raketave me rreze të mesme dhe të gjatë. Sipas tij, ky është një hap i domosdoshëm për të rritur nivelin e parandalimit dhe për të garantuar sigurinë kombëtare të vendit.
Deklaratat e Erdoganit vijnë në një moment të tensionuar, ku konflikti mes Izraelit dhe Iranit po përshkallëzohet dhe mund të ketë pasoja të gjera në rajon. Turqia, si një fuqi e rëndësishme rajonale, duket se po pozicionohet përballë çdo rreziku që mund të prekë interesat e saj.