Barcelona shton presionin për Nico Williams, negociatat me Athletic Bilbao marrin një tjetër kthesë

Katalanasit të vendosur për të sjellë në “Camp Nou” yllin e Athletic, por kushtet financiare dhe marrëdhëniet e vështira me klubin bask mbeten një sfidë

Barcelona vijon të mbajë të hapur pistën për transferimin e Nico Williams gjatë merkatos së verës. Sulmuesi i talentuar i Athletic Bilbao ka shprehur publikisht dëshirën për t’u bashkuar me katalanasit, duke preferuar “blaugranat” përpara ofertave më të mëdha financiare nga Arsenal dhe Bayern Munich.

Bisedimet mes Barcelonës dhe klubit bask janë intensifikuar në ditët e fundit, ndërsa “Mundo Deportivo” raporton se vetë lojtari e sheh me sy të mirë kalimin në La Liga me fanellën e Barçës. Edhe pse vitin e kaluar rinovoi kontratën me Athletic, këtë verë situata ka ndryshuar në favor të një largimi të mundshëm.

Megjithatë, rruga drejt transferimit të Nico Williams është e komplikuar. Klauzola e lirimit të tij, që arrin në 58 milionë euro plus 6 milionë euro të tjera në taksa, paraqet një pengesë serioze për Barcelonën. Klubi katalanas nuk është në gjendje të përballojë një pagesë të menjëhershme të kësaj shume të lartë.

Nga ana tjetër, Athletic Bilbao ka refuzuar kategorikisht pagesat me këste, duke vështirësuar më tej negociatat. Marrëdhëniet mes dy klubeve janë tensionuar kohët e fundit, për shkak të rastit Negreira dhe përplasjeve të përsëritura në tregun e transferimeve, gjë që nuk favorizon një marrëveshje të shpejtë.

Barcelona, e cila ka shpenzuar tashmë 25 milionë euro për portierin e Espanyol, Joan Garcia, duhet të respektojë rregullat e “fair play”-t financiar. Për këtë arsye, katalanasit duhet të realizojnë më parë një shitje të rëndësishme për të siguruar fonde dhe për të mbyllur me sukses operacionin për Nico Williams.

Për momentin, sulmuesi mbetet objektiv i qartë i Barcelonës, por transferimi i tij konsiderohet ende i vështirë. Klubi katalanas shpreson të gjejë një zgjidhje në javët e ardhshme, ndërsa tifozët presin me padurim afrimin e një prej emrave më premtues të futbollit spanjoll.

Ndaj Postimin: