Presidenti më jetëgjatë në futbollin shqiptar largohet nga drejtimi i Teutës pas 26 vitesh

Edmond Hasanbelliu jep dorëheqjen pas më shumë se një çerek shekulli në krye të Teutës, por premton lidhje të përhershme me klubin

Edmond Hasanbelliu ka zyrtarizuar largimin e tij nga drejtimi i klubit Teuta, duke i dhënë fund një epoke prej 26 vitesh në krye të skuadrës durrsake. Ai ishte presidenti më jetëgjatë në historinë e Superiores, që prej janarit të vitit 1999, duke udhëhequr ekipin në më shumë se 1100 ndeshje.

Përmes një deklarate zyrtare të shpërndarë nga klubi, Hasanbelliu njoftoi dorëheqjen, duke theksuar se vendimi është marrë pas një periudhe të gjatë reflektimi dhe përkushtimi. Ai u shpreh se do të ndjekë një kapitull të ri në jetën personale dhe profesionale, por pa shkëputur lidhjet me komunitetin sportiv që ka drejtuar për kaq kohë.

“Ndihem mirënjohës për çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kam marrë gjatë kësaj udhe. Kam besim të plotë se shoqata do të vazhdojë përpara me të njëjtin pasion,” u shpreh Hasanbelliu, duke shtuar se do të mbaj përherë një lidhje të ngushtë me klubin dhe njerëzit e tij.

Në mandatin e tij si president, Hasanbelliu ka qenë pjesë e disa prej arritjeve më të rëndësishme në historinë e Teutës. Kulmi i suksesit erdhi në vitin 2021, kur skuadra u shpall kampione e Shqipërisë, një titull i shumëpritur nga tifozët durrsakë.

Përveç titullit kampion, nën drejtimin e tij Teuta fitoi gjithashtu tri herë Kupën e Shqipërisë dhe dy herë Superkupën, duke u konsoliduar si një nga ekipet më të qëndrueshme të dekadës së fundit.

Hasanbelliu ishte jo vetëm drejtues, por edhe simbol i stabilitetit dhe identitetit sportiv të qytetit të Durrësit. Largimi i tij lë një boshllëk të ndjeshëm në klub, por edhe një trashëgimi të pasur për pasardhësit.

Tashmë, mbetet për t’u parë se cili do të jetë drejtuesi i ri i Teutës dhe kush do të marrë përgjegjësinë për ta çuar përpara trashëgiminë e ndërtuar në mbi dy dekada.

Ndaj Postimin: