Raporton: Ndriçim Gjoshi
Punonjës të mirëmbajtjes në linjën e Bajzës flaken në rrugë pas një jete punë, ndërsa afrohen muajt e pensionit
Një valë shkurtimesh ka përfshirë sektorin e hekurudhës shqiptare, ku 47 punonjës janë larguar nga puna, shumica prej tyre të angazhuar në mirëmbajtjen e linjës hekurudhore të Bajzës. Lajmi i papritur i ka gjetur punonjësit të papërgatitur, shumë prej të cilëve ndodhen në prag të pensionit.
Largimi i tyre ndodhi pas një njoftimi verbal të bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhës Shqiptare në Durrës javën e kaluar. Sot, një pjesë e punonjësve udhëtuan drejt Durrësit për të kërkuar sqarime, ndërsa shprehën zemërim dhe zhgënjim për mënyrën e trajtimit që morën.
Të prekurit janë punonjës që për vite kanë garantuar funksionimin e linjës hekurudhore Bajzë-Mali i Zi, një linjë që përdoret për transportin e zhavorrit dhe operon 2 deri në 3 herë në javë. Ata pohojnë se nuk kanë marrë paralajmërim zyrtar me shkrim dhe nuk u është ofruar asnjë alternativë punësimi apo trajtimi i veçantë për moshën e tyre.
Shumë prej punonjësve që humbën vendin e punës janë vetëm disa muaj larg moshës së pensionit, gjë që ka shtuar ndjeshëm pasigurinë për të ardhmen e tyre. Ata thonë se janë ndjerë të lënë pas dore dhe të përjashtuar padrejtësisht nga struktura, ndërkohë që stafi teknik dhe drejtues nuk është prekur nga procesi i shkurtimit.
Largimi masiv duket se ka synuar vetëm sektorin e mirëmbajtjes, një segment jetik për funksionimin e çdo linje hekurudhore. Kjo ka ngritur pikëpyetje për politikat e brendshme të kompanisë dhe prioritetet e saj në një periudhë kur flitet për modernizimin e transportit hekurudhor në vend.
Punonjësit e larguar kërkojnë transparencë dhe një zgjidhje urgjente nga autoritetet. Ata theksojnë se nuk po kërkojnë favore, por një trajtim të denjë për vitet e shërbimit të dhënë me përkushtim në këtë sektor.
Lidhur me situatën, ende nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Hekurudha Shqiptare, ndërsa tensioni mes punonjësve dhe institucionit vijon të rritet.