Të vraposh për kujtim: udhëtimi i jashtëzakonshëm nga Anglia në Tropojë për nder të babait

Seb Ponari përshkon me vrap 2750 km nga Anglia në Shqipëri për të nderuar kujtimin e babait të ndjerë, në 10-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta

Një udhëtim i jashtëzakonshëm dhe plot emocion përshkoi Evropën nga perëndimi në lindje, falë emigrantit shqiptar Seb Ponari, i cili përshkoi me vrap 2750 kilometra nga Cambridge i Anglisë deri në Tropojë, në një sfidë që ia dedikoi kujtimit të babait të tij të ndjerë, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.

Për 40 ditë rresht, Ponari ka vrapuar përmes 9 shteteve europiane, me një qëllim të vetëm: të arrijë në vendlindje për 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të të atit. Ai mbërriti në Shqipëri përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit, ku u prit me një ceremoni të ngrohtë mikpritjeje dhe emocionet e forta e pushtuan sapo preku tokën shqiptare.

Ky udhëtim nuk ka qenë thjesht fizik, por një betejë e madhe shpirtërore për Sebin. Ai rrëfen se e nisi vrapimin si një mënyrë për të përballuar vështirësitë emocionale, por rruga u kthye në një pasion dhe në një mision për nder të kujtimit familjar.

Sfida nuk ishte vetëm fizike. Ponari pranon se gjatë rrugës është përballur me lodhje të skajshme, sfida mendore dhe emocione të forta, por çdo hap e ka sjellë më pranë qëllimit: vendit ku prehet i ati. Ai shprehet se ky udhëtim është edhe një formë e përballjes me dhimbjen e humbjes, një proces që vazhdon ende.

Dita e nesërme do të shënojë kulmin e këtij udhëtimi, kur Seb do të ndalojë për të nderuar varrin e të atit në Tropojë. Ai thekson se udhëtimi nuk përfundon këtu. Pas vizitës tek varri, planifikon të vijojë sfidën personale drejt jugut të Shqipërisë.

“E kam ndarë në dy faza këtë rrugëtim. E para, Tropoja dhe vizita tek babai. E dyta, përfundimi në Ksamil, ku do të pushoj disa ditë dhe të shijoj bregdetin shqiptar”, tha ai për mediat.

Kjo sfidë unike e Seb Ponarit nuk është vetëm një homazh ndaj një prindi të ndjerë, por edhe një shembull frymëzimi për forcën e vullnetit dhe dashurinë për vendin dhe familjen.

Ndaj Postimin: