Levian Goga, shqiptari nga Berati që jeton prej 24 vitesh në Greqi, shpëton dy fëmijë nga lumi Arakhtos, por fatkeqësisht ata nuk mbijetojnë, ndërsa Greqia nderon aktin e tij të guximshëm duke i dhënë shtetësinë greke.
Levi Goga, emigranti shqiptar nga Berati, është bërë simbol i guximit në Greqi, pas aktit të tij të jashtëzakonshëm javën e kaluar. Pa u menduar dy herë, ai u hodh në lumin Arakhtos për të shpëtuar dy fëmijë që po rrezikoheshin nga ujërat. Fatkeqësisht, edhe pse përpjekjet e tij ishin të jashtëzakonshme, fëmijët nuk mundën të mbijetonin dhe humbën jetën në spital.
Pas ngjarjes dramatike, Goga ka përjetuar probleme shëndetësore, përfshirë kollë të fortë dhe vështirësi në frymëmarrje. Mjeku privat i rekomandoi kontrolle të detajuara në spital, ndërsa Ministri i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, urdhëroi që Goga të dërgohej me urgjencë në spital për ekzaminime të mëtejshme.
Aktualisht, ai po trajtohet në spitalin e Arta-s, ku mjekët kanë deklaruar se gjendja e tij shëndetësore është stabël dhe nuk ka komplikacione serioze. Ky akt heroik ka marrë vëmendjen e autoriteteve greke, të cilat kanë vendosur ta shpërblejnë Gogën me shtetësinë greke si shenjë nderimi për trimërinë dhe humanizmin e tij.
Goga, i cili prej 24 vitesh jeton në Greqi, ka ardhur si emigrant që në moshën 17-vjeçare. Pa njohur askënd dhe pa pasur garanci, ai la Beratin për të kërkuar një jetë më të mirë në Athinë, ku ka punuar çdo lloj pune për të mbajtur familjen.
Sot ai jeton në qytetin e Arta-s me gruan dhe dy fëmijët e tij, të moshës dhjetë dhe gjashtë vjeç, duke ndërtuar një jetë të thjeshtë dhe të qetë larg vendlindjes. Por ngjarja tragjike e së mërkurës i ndryshoi jetën atij dhe familjes, duke e vendosur në qendër të vëmendjes për aktin e tij të jashtëzakonshëm.
Ky akt guximi dëshmon se mirësia dhe solidariteti nuk njohin kufij, ndërsa rasti i Levian Gogës është një shembull frymëzues për gjithë shoqërinë, si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi.