Sezoni i pazakontë i Tiranës, bardheblutë përjetojnë rolin e “maratonomakëve” të futbollit shqiptar

Tirana përballet me sfida të paprecedenta, duke udhëtuar mijëra kilometra nëpër Shqipëri për ndeshjet e kampionatit, kupës dhe “play out”-it, teksa mungesa e stadiumit e shndërron ekipin në “endacakë” të vërtetë të Superiores.

Pas situatave të vështira që kaluan Partizani dhe Dinamo, të cilat mbetën pa stadium gjatë sezonit, tani është skuadra e Tiranës që përballet me realitetin e hidhur të “endacakut”. Bardheblutë janë detyruar të luajnë jashtë kryeqytetit, duke kaluar nga një qytet në tjetrin për të zhvilluar takimet e tyre zyrtare.

Gjatë këtij sezoni, duke lënë mënjanë ndeshjet europiane, Tirana ka zhvilluar plot 27 sfida në fusha të ndryshme të vendit, përfshirë kampionatin, “play out”-in dhe Kupën e Shqipërisë. Ky itinerar i pazakontë ka bërë që ekipi të përshkojë rreth 4190 kilometra nëpër Shqipëri, duke vizituar qytete si Korça, Vlora dhe Shkodra.

Krahas llogaritjeve të fillimsezonit, skuadra ka udhëtuar mbi 1492 kilometra më shumë, duke luajtur 11 ndeshje të largëta. Këto transferta janë kthyer në një eksperiencë të veçantë edhe për tifozët, të cilët kanë ndjekur ekipin e zemrës në çdo cep të Shqipërisë, duke përjetuar aventura të ndryshme në çdo qytet.

Derbi me Dinamon këtë sezon është zhvendosur në Vlorë, në një distancë prej rreth 300 kilometrash nga Tirana. Ndërkohë, për shkak të një dënimi nga federata për sjelljen e tifozëve, “klasikja” me Vllazninë është luajtur në Lushnjë, larg atmosferës së zakonshme të kryeqytetit.

Në një tjetër rast të pazakontë, për një sfidë ndaj Laçit, bardheblutë kanë udhëtuar deri në Korçë, duke shtuar kilometrat në rrugëtimin e tyre të gjatë. Edhe ndeshjet e Kupës së Shqipërisë nuk kanë qenë më pak sfiduese, pasi Tirana është eliminuar pas një takimi të zhvilluar në Vorë.

Ky sezon e ka kthyer Tiranën në ekipin më të “lëvizshëm” të Superiores, duke përjetuar një kalvar të gjatë udhëtimesh, që ka ndikuar në ritmin dhe performancën e skuadrës, por edhe ka rritur lidhjen mes tifozëve dhe ekipit përmes një aventure të vërtetë sportive.

Ndaj Postimin: